Hasia pinte kafe, tymoste cigare, lexonte romane, rrëfente meselera të vjetra me të ikë mendja.
Hasia, nëna ime, nuk ishte amvise.
Hasia ishte tjetër gjë.
Nga: Edison Ypi
Hasia, në gjak, në thua, në ind, në qelizë, ishte Bejlereshë.
Hasia ishte një magji e gjallë.
Hasia linte me gojë hapur të madh e të vogël tek llafosej nga Homeri tek Tolstoi, nga Çezari tek Çurçilli, nga Naim Frashëri tek Pushkini.
Hasien mahnitëse e donin të gjithë. Hasies së urtë i faleshin të gjithë; Fëmijët, të rriturit, ngatërrestarët, sherrxhinjtë, të pashkollët, të arsimuarit, Hasies të gjithë i kërkonin këshilla, orientime, ndërmjetësime.
Hasia nuk lexonte shumë apo pak. Hasia lexonte gjithçka të shkruar që i shihnin sytë, i kapte dora. Hasia nuk linte pa lexuar edhe copat e letrave në dysheme që ja kapte fshesa.
Hasia flise vetëm mirë. Hasia nuk fliste kurrë keq për askënd.
Ata për të cilët Hasia duhej të fliste keq, për shembull për diktatorin që i burgosi djalin, Hasia nuk fliste fare. Hasia i injoronte vrasësit me një heshtje të barazvlefshme me pushkatimin. Si ja arrinte Hasia ta komunikonte tek bashkëbiseduesit përbuzjen për vrasësit pa ua përmendur emrat, është një sekret që s’ka për tu zbuluar kurrë që Hasia e mori në varr.
Hasien e dëgjonin të gjithë gojëhapur dhe frymëndalur si para Perëndisë.
Hasia ishte një botë e pashterrshme vetëpërmbajtjeje, mirësjelljeje, morali, urtësie, diturie.
Hasia ishte një katedrale madhështore përuljeje dhe respekti; për të diturin, të aftin, të talentuarin, të moshuarin, të sëmurin, hallexhiun.
Hasia, që lindi e u rrit në Pacomit, një fshat i vogël në Luginën e Vjosës pranë Përmetit, ishte dhe një rrëfimtare e pashoqe.
Nga përrallat tek përditshmëria, asgjë që rrëfente Hasija nuk mund të vihej në dyshim prej askujt.
Kohështrirja e rrëfimeve të Hasies ishte “Ab aeterno”, e gjithë koha që nga fillimi i fillimeve.
Gjeografia e rrëfimeve të Hasies ishte i gjithë planeti rrethepërqark nga Shqipëria në Shqipëri.
Për çfarë nuk rrëfente Hasia o Zot.
Për luftra, mbretër, perandorë, princër, ushtri të huaja, udhëtime, ndërlikime, fejesa, martesa, trashëgimtarë, gjithçka-gjithçka.
Por shumica e rrëfimeve të Hasies lidhej me Bektashizmin, Gjuhën Shqipe, Rilindjen, rilindasit, Naimin, Çajupin, Kristoforidhin etj.
Hasija nuk bëri universitet në Europë si mikeshat e saj bejleresha.
Ja si ndodhi;
Rushan Beu, gjyshi im, babai i Hasies, pasi kopsiti brezin me florinj, mori dy çupat e tij, Hasien dhe Shefikatin, nënën dhe tezen time, i hipi mbi kalë. Mbi një tjetër kalë hipi vetë, dhe u nis.
Afër Këlcyrës e thirri një i njohur ulur mbi një breg.
-Ku po i shpie çupat o Rushan Bej ?
-Në Europë, në Austri, në Vjenë, në Universitet.
-Mos e bëj atë gabim.
-Pse ?!
-Se do të bëhen kurva.
Rushan Beu u kthye.
Pikat e referimit në rrëfimet e Hasies ishin Teqeja e Alipostivanit pak mbi Pacomit, dhe teqetë e tjera në Skrapar dhe Kolonjë.
Në rrëfimet e Hasies, Babai i Teqesë ishte gjithçka; Mbret, Sulltan, Vezir, Pasha’, Parlament, Kryeministër, President, Prokuror, Gjykatës.
Babai i Teqesë zgjidhte problemet më të ndërlikuara që nuk mund t’i zgjidhte dot asnjë gjykatë, shpatë apo jatagan, madje asnjë ushtri. Babai i teqesë i urdhëronte Bejlerët. Bejlerët s’kishin asnjë pushtet mbi Babain e Teqesë.
Nëna ime Hasia rrëfeu e rrëfeu pa u ndalur me dhjetra vite deri në Frymën e fundit, pa thënë kurrë dy herë të njëjtën gjë.
ObserverKult
———————
Lexo edhe: