Edison Ypi: Kur ik’ jashtë shtetit e sheh që s’ka si Shqipëria!


Nga: Edison Ypi

Ke zbritur nga avioni. Sapo ke marrë trenin për ato pak kilometra deri në Londër. Menjëherë bindesh se ajo çka dyshove kur Londrën e pe nga aeroplani, është e vërtetë; Je gënjyer gjithë jetën me ëndrra dhe dokrra. Ke shpenzuar për të ardhur në vendin më të trishtë të planetit.

Shtëpi të vogla dhe rrugë të mjera nën një qiell me re të pista si lëvere të palara.
Nuk duket si udhëtim. Duket si lexim i ndonjë libri të Engelsit mbi gjendjen e mjerë të klasës punëtore në Angli.

Zbret nga treni. Shëtit pak. Ulesh në një kafene. Hedh sytë rrotull. Bindesh përfundimisht se gjithçka tjetër që do shohësh gjatë këtij udhëtimi nuk mund të jetë më pak dekurajuese se ky fillim.

Rrëkëllejnë birrë më këmbë si të babëzitur.
Gjerbin pa pushim kafe të holla si lëng gështenjash në filxhanë të mëdhenj të thellë si gaveta ushtrie. Pinë të etur kapuçino edhe më të mëdha se kafetë. Currili i kapuçinos derdhet ngadalë nga brimat e ekspresit brenda gavetës shoqëruar me fërshëllima si lokomotiva e Stivensonit.

Pëshpërisin si hijet. Flasin si belbanë. Fjalët i shkurtojnë. Të folurën e ngatërrojnë.
Profesorë universitetesh, filozofë të shquar, shkencëtarë me nam, i shtyjnë ditët në shtëpi të vogla, të vjetra, si shtëpi minatorësh ngritur shpejt e shpejt pas ndonjë përmbytjeje nja dy a treqind vite të shkuara. Të merr të qarët tek i sheh ato furriqe.

Megjithatë, shtëpinë e vogël dhe të vjetër ku ma gjen. Qindra londinezë të pastrehë kalojnë jetën futur nëpër thasë plastmasi nëpër rrugë, sheshe, dyer hotelesh.
Zhgane zhelanësh pisanjosë presin para depove të marrin ndonjë lëmoshë nga shteti.

Në lindje të Londrës jetojnë mijëra anglezë aq fukarenj, sa lindin e vdesin pa i parë kurrë me sy sheshet kryesore të qytetit. Dhjetëra mijëra të tjerë londinezë jo-fukarenj të tmerruar nga piskamat metropolitane prej vitesh u janë larguar përgjithmonë atyre shesheve për ta pritur plakën me kosore nëpër katunde.

Në Hithrou pasaportën ta kontrollon një indian.
Në një minimarket paketën e cigareve ta zgjat një dajua i tij.
Kafenë ta sjell një nepalez.
Rrobat kineze t’i shet një kurd.
Picën italiane ta servir një filipin.
Në bankë të shërben një kongolez.

Shitësi i hamburgerit është një eskimez.
Janë aq të paditur, aq të paarsimuar, aq gdhë, sa të lypset një ditë e tërë për të gjetur vetëm një, i cili ta dijë ku bie Shqipëria.
Mund ta kalosh edhe një javë të tërë në kërkim të dikujt, që të thotë përmendësh dy vargje të Shekspirit.

Janë aq pa fantazi, aq të varfër në imagjinatë dhe kreativitet, sa është e pamundur që emrin që e ka njëri të mos e kenë edhe të paktën nja dy a tre milionë të tjerë.
Rinia është edhe e ngordhur edhe zevzeke njëkohësisht.
Mbathin T-shirt-a të pista dhe pantallona të varura.

Janë aq të ftohtë dhe indiferente ndaj seksit, sa nuk e kanë për gjë që “ky këtu” të gdhihet e ngryset në të njëjtin apartament të ngushtë me të dashurën e “atij atje” nja njëzet kilometra larg në skajin tjetër të qytetit, ndërkohë që, e dashura e “këtij këtu” gdhihet e ngryset në një garsonierë me 1 banjë me “atë atje” ditë e natë e natë e ditë në një spirale halucinante vetmie dhe sëkëlldie që shkatërron kimitë e truve të të gjithëve në mënyrë të pariparueshme.

Londra ka aq shumë zgëqe të fëlliqura, sa nuk kanë të gjitha Brrakat e Shqipërisë së bashku. Ujëra të fëlliqët, rrëkera, pellgje me ta shpif. Natën avuj të frikshëm ngrihen përpjetë ngadalë nga puseta rrugësh si nëpër filmat e horrorit.

Muret e holla të shtëpive ngrihen drejt nga toka. Po t’i pyesësh “Pse nuk kanë themele shtëpitë tuaja ?!” të japin një përgjigje tmerruese; “Nuk i bëjmë shtëpitë me themel se këtu nuk ka rënë kurrë tërmet”. Janë pra aq të trashë sa kujtojnë se ngaqë nuk ka rënë tërmet në të kaluarën, tërmet nuk do bjerë kurrë as në të ardhmen.

Para një bankomati, një anglez. I ka ardhur rradha. Ka futur kodin. Pret. Kurrgjë. Llogaria është bosh. Zë e shan anglezi me rrënjë e me degë mbarë njerëzimin duke lutur Zotin që një bombë atomike ta shkatërrojë botën nga Grinuiçi në Grinuiç.

Një tjetër anglez të këshillon të mos mbash më tepër se dyqind sterlina në xhep, sepse janë “big money”. U ç’më shkrive o perandorak stërnip i Shekspirit. Për sa pare xhepi duhet të kem frikë mo ? Për dyqind sterlina ? E shoh se s’ditke gjë për fierakë e skraparllinj që qarkullojnë nëpër pesë kontinente me nga dy milionë e më tepër dollarë nëpër benevrekë.

“Hyde Park” dhe të tjera parqe të famshme janë plot me mashtruesa pisanjosa, që hiqen për poetë, shenjtorë, filozofë.

Mbrëmje. Soho. Turista gjithandej. Ta zë rrugën një dymetrosh. Përshëndet. Qartëson se nuk është dosido, por “an english gentleman”, dhe të kërkon të paimagjinueshmen; “ndonjë kacidhe për të pirë një gotë çaj”.

Metroja e Londrës është më e vjetra në botë. Nëpër stacionet me kthesa, që të mos biesh në shina dhe të ndahesh, jo në tre copa si Anna Karenina, por në pesqint fërtele si derri te kasapi, një altoparlant të paralajmëron me një “Mind the Gap” që e përsërit pafund dhe të mbetet për gjithë jetën në vesh.

Metroja e Londrës do dukej arkivol nëse në shkallët e saj të mos shfaqeshin hera-herës me klithmat e tyre plot jetë shqipet e maleve, divat nga Kalaja e Dodës, Mati, Skrapari, Roskoveci, Divjaka, Puka, Mirdita.

Historia e tyre? Enciklopedi shumëvëllimëshe me intrigat më të sofistikuara individuale, shtetërore, ndërshtetërore, dallaveret lokale dhe ndërkombëtare të të gjitha llojeve dhe nënllojeve.

Spital me hallexhinj që vuajnë nga sëmundje psiko-neuro-endokrinologjike me në krye një Mbretëreshë 9 ujë 1 kos.

Parlamenti plot me pleq me qurra, që gërhasin dhe flenë me orë të tëra ca më këmbë ca shtrirë sikur u ka rënë damllaja. Para kësaj qurrnaje ku ma gjen Parlamentin e Shqipërisë. Atë çmendinën ku mafjozët e zgjedhur nga populli ulurasin e rrihen si n’harradoz.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Hello London”

filmat shqiptar

Lexo edhe:

EDISON YPI: SI TA KUPTOSH QË JE BUDALLA

EDISON YPI: LIBRAT S’SHITEN SE S’DINË TË LEXOJNË

EDISON YPI: EJA, MOTËR, EJA SHPEJT SA ËSHTË GJALLË SHQIPËRIA…

EDISON YPI: RROFSHIN PLEHRAT

ObserverKult