Edison Ypi: Ku të iki, ku të zhdukem…

Nga: Edison Ypi

Dua të çlodhem. Dua të qetësohem. Dua të kthjellohem. Dua të lartësohem. Leximet, bisedat nokturne me ishullarë, filmat e parë fshehtas, numërimi i yjeve, shoqëria me hënën, arratia brenda vetes, mbulimi i kokës me jorgan, konfidenca e jastëkut, ëmbëlsia e gjumit, papesha e ëndërrave, nuk mjaftojnë.

Duhet të bëj diçka të mos llaftarisem nga lufta e klasave, të mos tmerrohem nga syçelësia proletare, të qetësoj sytë nga surretërit e shefave, t’u qëndroj larg çmendurive të burokratëve, të shpëtoj nga spiunat, mbledhjet e kolektivit, tejkalimet e planit, flamujtë e kuq, garat, emulacionet, puna vullnetare. Si të mos ndotem nga këto pisllëqe? Si të shërohem nga këto sëmundje? Ku të iki, ku të degdisem, ku të zhdukem, ku të zhytem, ku të mbytem? Rrugët janë të ngushta dhe të këqia. Makina nuk ka. Autobuzat janë rrangalla. Treni zvarritet si gjarpër. Deri në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, ta kontrollojnë disa herë pasaportën.

Fshatrat e largët, bregdeti, bregliqeri, quhen “zona kufitare”. Po të panë që u afrohesh të burgosin për tentativë arratisje. Arratisja është e plotë. Tentativa është gjysmake. Tentativa është mediokre. Tentativa është e rrezikshme. Ku ta gjej një livadh shplodhës, një oaz të freskët, një qoshk të qetë, një bisedë serioze?

Po ! Ekziston një copë qiell për arratisje integrale, për çlodhje totale. Ku materia është pa gravitacion. Ku gjithçka ndodh në një kohë pa rrjedhje që e mat një sahat pa akrepa.
Po! Ndodhet diku një tempull pa klithma proletare, pa çmenduri burokratike.
Po, ndodhet diku një Murg për tu falur për mëkate inekzistente.
Atje do arratisem. Atje do degdisem. Atje do pastrohem. Atje do shërohem.

S’ka problem se është ftohtë, bie shi, fryn erë. Nuk ka arritisje të rehatëshme. Arratisjet janë të mundimshme. Kam guximin, kam durimin, kam dhe motivin ta murmuris nëpër dhëmbë duke u arratisur në atë vend. Është ai që nis me, “Ti qan që larg se vate dashuria, vate e mbaroi e më s’i mbet as hija…”, dhe mbaron me “Të bëhet zjarr e flakë, e dritë e bardhë…”.

U nisa. Nëpër shkallë, unë zbres, spiuni ngjitet.
-Ku po ikën me kaq qef ti që zakonisht je i zymët? Do të spiunoj për tentativë arratisje.
-Po shoku spiun, vërtet po arratisem, por nuk më spiunon dot. Nuk po arratisem në vendet kapitalisto-revizioniste, ku siç na mëson partia, si e tha kongresi, si e shkruajti gazeta, si e çfaqi televizioni, si e thonë librat, si na mëson shkolla, vdesin nga uria. Po arratisem këtu rrotull, këtu afër, këtu brenda, këtu ku sundon proletariati, vigjëlon kufitari, të kafshon qeni, buçasin fitoret, tejkalohet plani.

Vazhdoj arratisjen. Më shohin vëngërr policë të vrazhdë me sy të thellë, ushtarë me çizme me yll në ballë, oficerë zhulanjosa pa grada, veteranë vrasës turivrërët.
Mbi rrugën plot gropa dhe bajga kalojnë me rrapëllima kamionë që çojnë beton nëpër “vepra”.
Në ballkone rrecka të ndera.
-Ejani me mua, u them disa vajzave.
-Ku të vimë? pyesin të habitura tornitoret me tre turne, tejkalueset e planit.
-Në qiell.

Spital, farmaci. S’më duhen. Çlodhem ku po nisem, shërohem ku po arratisem.
I jam afruar Tempullit. Ja ndjej fërgëllimin. Ja dëgjoj tingujt. Shiu pushoi. Era ndali hazdisjen. Retë u arratisën.
Hyj. Ulem. Bërtas. Ulurij. Sokëllij;
“Pik’ e lotëve të mia, vetëtin si gur’ i rrallë…”.

Dëgjoi. Erdhi. Thotë; Lereni të bërtasë sa tavani të rrëzohet”, dhe hesht.
S’të lypset të flasësh. Në fytyrën tënde është plazmuar një shekull Histori. Tingujt, ngjyrat, suferinat, ngricat, Pavarësia, kaosi, Mbretëria, Shteti, Europa, trenat me avull, aeroplanat, luftrat, idilet, flirtet, dashuritë, yjet që kurrë nuk takohen, janë aty të gjitha, n’ato rrudha e n’ato vrraga. I vrave me heshtjen që po i mbyt. Fluturon lart. Nuk të arrijnë dot. Nuk je prej mishi. Je prej zafiri. Fjalimet, presidiumet, mbledhjet konferencat, nuk të prekën asnjë thua.

Faleminderit Mjeshtër për këto gjëra kaq të bukura që më thua;
Atë që gjatë recitimit më ndryshon edhe një gërmë të vetme, e ther me thikë;
Në diktaturë më tepër se në Liri duhet punuar pa u ndalur;
Një libër me Poezi më i trashë sa gishti yt i vogël, është libër i trashë;
Në luftra vdesin ushtarët, fitoret i gëzojnë gjeneralët;
Nuk ekziston Frymëzimi. Ekziston urdhëri i Zotit;
Thurja perfeksioniste është një ferr që të lodh, të sëmur, kërkon shëndet t’ia dalësh mbanë.

Poezi nuk është ajo që shqiptohet në 1 mënyrë, por ajo që përsëriret apo pëshpëritet pafundësisht herë në pafundësisht mënyra.
Kaq për sot.

Faleminderit Murg, Mjeshtër buçim-heshtur.
U pastrova. U shërova. U qetësova. S’më arrijnë brohoritjet. S’pyes për luftën e klasave. Nuk kam frikë nga Sigurimi. S’ka ç’më bën burokrati. Nuk më spiunon dot spiuni. Nuk më ndot dot kolektivi. Isha te Lasgushi.

*Titulli i origjinalit: “Isha te Lasgushi”

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

EDISON YPI: TI QË NUK LEXON I BËN TË GJITHA TË ZEZAT- SHET VOTËN, VJEDH, SPIUNON…

Edison Ypi