Nga Edison Ypi
Ne budallejt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që ju të squtët na thoni. Ju skilet nuk thoni atë që mendoni dhe nuk e besoni atë që ne budallejt ju themi.
Ne budallejt në takim me ju të “anglezët” vijmë në orën e caktuar. Ju qerratenjt në takim me ne budallejt vini gjithmonë me vonesë.
Ne budallejt u besojmë Rilindasve që thanë “Lind andej nga perëndon”. Ju inteligjentët që nuk dihet kujt i besoni, thoni se lind andej nga lind.
Për ne budallejt ekonominë e mbajnë në këmbë biznesmenët. Ju pehlivanat thoni se këtë shërbim të çmuar e bëjnë proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni kur kallaballëku të zbresi në shesh të xhvasi gjithçka pa bërë asgjë.
Ne budallejt e kemi të qartë se banakierët televizivë të së enjtes mbrëma janë pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Sytë j’u dalçin. Juve dhe atyre.
Ne budallejt përdorim nja një mijë fjalë kur flasim dhe nja pesë mijë kur shkruajmë. Ju eruditët as flisni as shkruani. Derisa të mësoni ca fjalë ju kokpalarët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallejt.
Ne budallejt që nuk kemi asgjë dhe nuk fitojmë asgjë, e marrim faturën tatimore për çikërrimat që blejmë. Ju banditët që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni edhe kur blini e shisni grataçiela.
Ne budallejt nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim ne, budallej do ishit ju.
Ne budallejt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallejtë ca hajvanë që poezitë i dinë përmendësh. Poezitë më të bukura për ne budallejt janë ato që flasin për dallimin kolosal mes ne budallejve dhe ju gjenialëve.
Ne budallejt femrave u bëjmë komplimenta. Ju të squtët femrave u mbani leksione. Prandaj ne budallejve femrat na falin pyllin në fund të barkut, ndërsa juve noc rrokun.
Ne budallejt nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Veç një gjë duhet të dini; Duke ikur ju, ne budallejt që tashpërtash jemi pakicë, dalngadalë bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo rrokadë, ne budallejt që nuk ikim do bëhemi të squtë, budallej do bëheni ju të squtët që do mbeteni këtu.
Ne budallejt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, deti, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, u përkasin juve të squtëve, por Bota është e neve budallejve.
ObserverKult
——————————————–
Lexo edhe:
RRËFIMI TRONDITËS I SHARON STONE: JA ÇKA KËRKONIN PRODUCENTËT…
Një fragment nga libri me kujtime i Sharon Stone, “The Beauty of Living Twice”, u publikua nga Vanity Fair, ku theksoheshin rrëfime tronditëse.
Në nja nga “incidentet” të përshkruara nga Stone, një producent filmi, të cilit nuk ia përmend emrin, i kërkoi asaj të bënte s*ks me një koleg gjatë xhirimeve të filmit në mënyrë që të përmirësonte kiminë e tyre në ekran.
“Mendova se ata thjesht mund të kishin punësuar një aktor të talentuar, dikë që mund ta arrinte një skenë dhe të mbante mend fjalët e tij. Doja të më linin jashtë kësaj. Puna ime ishte të aktroja dhe kështu u thashë”, shkroi Stone, transmeton ‘indeksonline’.
Ajo gjithashtu tha se kjo nuk ishte hera e vetme që një producent i tha asaj të flinte me një koleg.
“Unë kam pasur producentë të tjerë në filma të tjerë që thjesht vijnë dhe të pyesin. ‘Pra, a do bësh s*ks me të, apo jo?… Ti e di që do të shkonte më mirë nëse e bën’.”, shkroi Sharon.
ObserverKult