Vendi im, nga: Edison Ypi
Vendi im është i tëri një ankth tronditës pafundësisht i bukur.
Ëndërr, Mrekulli, Parajsë.
Ku mund të ndodhesh diku, është e mërkurë, por të duket e premte.
Pas së enjtes vjen e marta.
E hëna zgjat tre javë.
E shtuna dhe e djela mungojnë me vite ose nuk çfaqen kurrë.
Kodrat i bien flautit.
Liqeret luajnë në Harpë.
Erërat në violinë.
Lumi krrusur mbi piano.
Televizor nuk ka.
Interneti nuk është shpikur.
Qiellin e prek me dorë.
Peshqit kullosin nëpër korije.
Godoleshi ndodhet prapa kodrës.
Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një hënë të plotë në mes të ditës.
Dy qiej më tutje shtrihet Gjermania plot me infermiera.
Italia prapa derës.
Amerika po llafoset me ca skraparllinj.
Shkodra me pantallona të shkurtra ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç.
Lezha topless po lan Benzin me ujë pusi.
Puka me flokët që ja merr era ka ndalur në mes të rrugës se i është çpuar goma.
Në horizontin qiellor kullosin dele të bardha me përmasa kilometrike që i ruan një bari shkëmbor me mustaqe deri te veshi me gunë si shpellë dhe me kërrabën që i nis në Rroskovec, kalon mbi shpirag, dhe mbaron në Gramoz.
ObserverKult
Lexo edhe:
EDISON YPI: KENI SHPIRT, POR TË FTOHTË…
Nga: Edison Ypi
Keni fukarallëk, por përdorni smartfona. Keni ankesa, por në Prokurori nuk shkoni. Keni biznese, por nuk paguani taksa.
Keni dëshirë të qeveriseni, por votën e shisni. Keni shpirt, por ua mposht instinkti i kopesë. Keni fantazi, por e përdorni për dallavere.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult