Edison Ypi: Si ta kuptosh që je budalla

Nga Edison Ypi

Po u mbajte shkrimtar ose poet dhe nëpër shkrime ose postime përdor tre pikat e shurrës të shkundjes së rrushit, është shenjë e sigurtë se je shtat’ breza budalla.

Nëse pushtimi i dikujt që ka ardh’ nga larg me të skllavëru të duket çlirim, ndalimi shqipes të duket progres, përvetësimi i dhunshëm i besimit fetar të duket Fat, je derr, qen zorraxhi, gomar, zhapik, zvarranik, por më tepër je budalla.

Është më se e natyrshme të ecësh rrugës duke kqyrur femrat. Sisët, shalët, vithet, kërthizat, harqet, format, nazet, ojnat e tyre, të gjitha këto Allahu i ka bërë për t’u parë. Po të vajti mendja se ato mrekullira duhen mbuluar, përveçse budalla, je dhe shtazë.

Ngrënia me babëzi vetëm e bakllavasë ose hallvës, mund të bëjnë obez dhe diabetik, por jo budalla.

Ama, nëse përveç bakllavasë, hallvës, kadaifit me bajame në mes, dashuron marrëzisht edhe të ndenjurit disa orë në kafene dhe qëndrimin këmbëkryq mbi shilte, s’je asgjë tjetër përveçse budalla.

Pse preferon të veshësh shallvare apo poture, s’ka të bëjë me të qenët budalla. Këto veshje hera-herës i sjell moda. Por të shqyhesh së qeshuri me meseletë e Nastradin Hoxhës është shenjë e sigurt se budalla gjenetik denbabaden je.

Nëse nuk preferon të blesh në dyqan por vetëm mbi tezgë pasi të kesh bërë pazar me shitësin, harroje se mund të jesh gjë tjetër përveçse budalla.

Nëse edhe 1 herë të vetme të ka vajtur ndërmend ta rrahësh gruan, je një kokërr budallai që s’e ke shokun.

Edhe mund ta shesësh votën nëse je fukara ose aq men’ ke. Por po e shoqërove atë shitje me mbjellje hashashi, për prejardhjen prej budallai mos ki asnjë dyshim, e ke të sigurtë, budalla ke qenë e budalla do jesh.

Po e shite motrën apo kushurirën prostitutë me çmimin e një lope si në pazar bagëtish, je një budalla që xhehenemin e ke hak.

Ta duash kafenë të bluar me mulli kafeje nga ata prej bronzi që  rrotullohen me dorezë, për tu quajtur budalla, vetëm kaq nuk mjafton. Shtoi kësaj çdo ditë disa orë ndejtje në kafene, dhe ja ku u bëre budalla safi’.

Haremi është i ëmbël. I raftë pika kujt nuk e ka qef. Por të ëndërrosh dhe pretendosh harem pa qenë Sulltan, je budalla me brirë kaprolli.

Nëse nga njëra anë dëshiron femrat e të tjerëve dhe nga ana tjetër mbulon femrat e familjes tënde, më budalla se kaq nuk bën vaki’.

Ndejtja ulur mbi shilte, pirja e lëngut të shegës, dëgjimi i muzikës tallava, të bëjnë budalla edhe nëse nuk je.

Nëse nuk e bën dot dallimin mes Poezisë dhe Bejtes, Poetit dhe rapsodit, s’ka provë më të sigurt se budalla je.

Shumë mirë që Allahun e ke frikë dhe i falesh disa herë në ditë. Allahu prandaj ekzistoni; Që ti të mëkatosh, Allahu të fali. Halli se ti Allahun nuk e mban për vete si diçka individuale, që të qetëson, ta zbut dhe ta zbukuron jetën, por me Allah rrekesh të bësh politikë. Po vazhdove të bësh politikë me Allah, nuk je budalla, je idiot.

Po kape ndonjë lek duke u lëpirë e duke ju jargavitur ndonjë gazete a reviste andej nga Shkupi, Stambolli, Ankaraja, dhe hiqesh për i squt, të jesh budalla ku ma gjen. Në këtë rast je një spiun i ndyrë.

Po përgojove Skënderbeun, Shën Terezën, Ismail Kadarenë, nuk je budalla. Je një gropë plot me kalbësira, coftina, kërrma, je ndyrësirë e ndyrësirave, tradhtar,  pleh, bërllog, mercenar, rrugaç që duhet me të hedh brenda makinës grirëse të barit si në filmat e horrorit.

ObserverKult


Lexo edhe:

YPI: S’KALOHET JETA PA DASHNORE…

Nga Edison Ypi

Kënga “s’kalohet jeta pa dashnore” shkrehte në lotë të rehatuarit që dashnore kishin, dhe ata që dashnore nuk kishin, por pas pak do kishin.

Kur dikush që dashnore kishte i tha dikujt që dashnore s`kishte “hë mo dhe ti, nuk gjen dot një cop dashnore”, ky i fundit, nga vështirësia për të patur një ide’ si mund të ishte “një copë dashnore” ndaj “një dashnoreje të plotë”, zuri shtratin dhe nuk u ngrit më.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult