Ypi: S’kalohet jeta pa dashnore…

Nga Edison Ypi

Kënga “s’kalohet jeta pa dashnore” shkrehte në lotë të rehatuarit që dashnore kishin, dhe ata që dashnore nuk kishin, por pas pak do kishin.

Kur dikush që dashnore kishte i tha dikujt që dashnore s`kishte “hë mo dhe ti, nuk gjen dot një cop dashnore”, ky i fundit, nga vështirësia për të patur një ide’ si mund të ishte “një copë dashnore” ndaj “një dashnoreje të plotë”, zuri shtratin dhe nuk u ngrit më.

Një vorrboms i la të gjithë pa ment kur befas uluriti në mes të sheshit; “Më janë bërë shalët e gruas si shalët e mia. Dua dashnore”. I ndali të uluriturat me shalë dhe dashnore, kur dikush i tha “Çfar dashnore do ti mor qyrranjos, ti s’ke brekë në bythë, dashke dhe dashnore. Ku je këtu o hajvan, në vendet kapitaliste ku dashnorja është mall dhe dashuria treg ?!”.

Veç seksit episodik brenda ndonjë bunkeri të pëgërë në periferi të qytetit, ose në kombinimin fatlum te shtëpa e një miku prindërit e të cilit ishin larguar nga shtëpia për disa orë, me dashnoren s’dije ç’të bëje.

Megjithatë të kishe dashnore s’ishte keq. Halli ishte ku ta gjeje dashnoren. Lagja ishte plot me spiunë që mezi prisnin të denonconin për prishje të moralit. Kafenetë ishin vetëm me meshkuj. Xhiroja ishte plot me femra në kërkim të burrit. Femrat moderne, apo broduejset, çoç bënin, por krahasuar me standardet e sotme të dashurisë dhe dashnoreve, më tepër mburreshin.

Prej katunareve që ulur në autobuz mbulonin gjunjët me shaminë e qurrave të vinte për të vjellë. Po ti afroheshe pak çaste ndonjërës “te puna”, të nesërmen të detyronin ta merrje për grua. Kinemaja ishte plot me halabakë në pritje të ethëshme të momentit kur protagonisti do puthte dashnoren.

Vendet ku dashnoret gjuheshin si rosat në kënetë, ishin fabrikat, kombinatet. Mirpo në këto rezervate, të shumtën e rasteve, në vend të gjeje dashnoren, gjeje belanë. Jetënxira që punonte me tre turne, ndoshta pranonte ta kishe dashnore, por pas nja një jave, me arsyetimin “tani të gjithë e dinë që jemi bashkë”, të kërkonte ta merrje për grua.

Megjithatë, edhe po të mos e kishe, dashnoren mund ta imagjinoje. Shqipëria ishte plot me erotomanë delirantë që rrëfenin bëma me dashnore inekzistente. Që rrëfimet me dashnore të fantazuara, për të cilën thoshin “ma luan”, të ishin të besueshme, i lidhnin me femra reale që s’kishin asnjë dijeni cili ishte deliranti që e kishte zgjedhur për dashnore imagjinare. Nëse ndonjërit prej të dehurve me dashnore të fanepsur i thoje; “Eja ore në vete, ajo që ti thua se e ke dashnore, s’ka asnjë dijeni cili je”, të batërdiste me llafe, të merrte erzin, të akuzonte se e bëje nga zilia.


Përveçse “kam dashnore” ose “nuk kam dashnore”, më intriguese ishte të thoje “e kam pas dashnore”. Ky pohim i ambalazhuar me nostalgji lotndjellëse, nënkuptonte se ajo që “e kishe pas dashnore” nuk ishte e vetmja por vetëm njëra nga emrat e listës në zgjatje të pandalshme e dashnoreve të panumurta inekzistente.

E kam dashnore filanen, thoshin rëndom nga inati kur filanen e lakmonin por nuk mund ta kishin. Këto raste rrenash të paverifikueshme shkaktonin shurdhim, mpirje, me pasoja dramatike që nuk mund të qartësoheshin nga asnjë arsyetim refuzues i viktimës apo i kujtdo tjetër.

Mes vështirësive për të pasur dashnore, fshati ku dashnore mund të kishe dhinë, ishte në avantazh të dukshëm ndaj qytetit ku dhi’ s’kishte.

Dashnorja e sekretarit të partisë, dashnorja e drejtorit, dashnorja e shefit të planit, me të cilat këta pasi dëndeshin me raki mbylleshin në zyrë me kyç nga brenda, ose i merrnin me Gaz 69 i çonin s’dihet se ku, ishin ca sharabajka surratpetulla bythmëdhaja që nuk guxoje tu afroheshe edhe sikur të kishe njëzet vjet pa parë femër me sy.
Dashnorja e qoftexhiut Dem Xhepa, ishte kurvi.

Qarkullonte një opinion sipas të cilit vendet më të përshtatshëm për të bërë qef me dashnoren, nuk ishin vendet që ëndërronin ata që nga seksi s’kishin haber, ata që skishin parë pridh me sy, pra vendet e rehatëshme, vendet e buta, shiltja, shtrati, kolltuku, lëndina, mullari i barit. Qefi më i madh me dashnoren bëhej, dashuria me dashnoren më tepër shijohej, dashnoren ta shtrije në një vend me sa më tepër gurë, gunga, gropa, shkopinj, shkarpa, ferra, gjëmba, në mos, lart në pemë.

Femrat e filmave nuk ishin kurrë bashkshorte, prind, nëpunëse, por vetëm dashnore.
Rregulli i të pasurit dashnore kishte përjashtime që e përforconin. Për shembull, kur qëllonte që mplekseshin një komuniste me dikend me cen në biografi, nuk thoshin ai me biografi qymyr ka dashnore filanen me baba veteran, thoshin “dashuri i thënçin”.

Dashnoret më të shijshme ishin gratë që bënin dashuri. Mes grave dashnore, dashnoret më të zjarrta, dashnoret që ta kënaqnin çdo fantazi, dashnoret me të cilat prekje qiellin, ishin gratë e oficerave të Sigurimit. Në shtëpitë e tyre, casanovat e çartun ngjiteshin me çarçfë të lidhur si litar kur burri oficer ishte me shërbim ku e kërkonte atdheu, ku e thërriste partia, nëpër suferina ku kishin zbarkuar diversanta.

Pse ndodhte që gratë e oficerave të Sigurimit përhapnin jetë duke falur dashuri dhe pjellë kopila, kta çunat e oficerave që bëjnë gam-gam tani, ndërsa burrat e tyre përhapnin vdekje, mbetet mister.

Gruaja dashnore ishte kështjella që diktatura nuk e mposhti kurrë. Duke mos mundur ta martonin se e martuar ishte, as ta divorconin se cënohej morali, një gruaje dashnore i frigoheshin më tepër se një zbarkimi diversantësh.

Gjatë shkollës së mesme, shërbimit ushtarak, eskursioneve në Dajt, praktikohej përdhunimi i dashnores në grup. Kur habere të tilla arrinin deri tek unë letargu, merre me ment sa e përhapur ishte dukuria e dashnores së alivanosur shalë hapur mes pellgjeve të spermës së grupit, ndërkohë që pas pak, secili përdhunues, emrin e fatnxirës do ja shtonte listës së dashnoreve.

Ai e afroi ta puthte. Ajo e largoi duke i thënë; Pse kështu na mëson shoku kurvi ? Të prekemi pa u martuar ?!
Sa mirë bënë ca si unë që nuk u martuan në kohën e dashnoreve të fabrikave, por duruan, dhe tani kur femrave u thonë “dua të bëj dashuri me ty”, ato u përgjigjen “Faleminderit”.

Dashnorja ime, dashnorja jote, dashnorja e këtij dashnorja e atij, e ka dashnore ky, e ka dashnore ai, Shqipëria e burgjeve dhe internimeve, dukej sikur më tepër se drurë e shkurre kishte dashuri dhe dashnore. Kur, në fakt, dashnorja më e mirë, ajo që kurrë nuk ta prishte qefin, kurrë nuk të tradhëtonte, kurrë nuk të kërkonte ta merrje për grua, kurrë nuk ta kujtonte kurvin, ishte Doriana.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: PËRQAFIMI QË NUK HARROHET KURRË

EDISON YPI: KANË RESPEKT PËR MERITOKRACINË, POR PËR TË GJETUR PUNË FUSIN 500 MIQ…

EDISON YPI: EH MOJ SHQIPËRI, QË MË BËRE TË NGRIHEM NGA VARRI TË VIJ KËTU SI NË MBLEDHJEN E KOLEKTIVIT

EDISON YPI: FILMAT E DIKTATURËS- HELMET MË TË RREZIKSHME PREJ TË CILAVE SHQIPTARËT MEZI SHPËTUAN…