Edison Ypi: Vendi im, një ankth i bukur që s’ka të sosur…

Nga: Edison Ypi

Vendi im është i tëri një ankth i bukur që s’ka të sosur. Një ëndërr, një mrekulli, një Parajsë. Ku dita është e fjetur, nata e zgjuar. Dimri të ngroh, behari të plevitos. Shigjetën e busullës e kafshoi një qen. Akrepat e orës i gëlltiti një gjarpër.

Mund të ndodhesh diku, është e mërkurë, por të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tre javë. E shtuna dhe e djela mungojnë me vite ose nuk vijnë kurrë. Retë kërcejnë Napolonin. Malet u bien daulleve. Kodrat bëjnë selfie. Shkurret flasin Anglisht.

Liqeret luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Televizor ka por është i fikur. Interneti është shpikur por nuk përdoret. Fejsbuku pasi hëngri një tas groshë, u mbulua me jorgan dhe po fle duke pjerdhur dhe gërrhitur.

Qiellin mund ta prekësh me dorë. Shkëmbinjtë mund t’i shkatërrosh me grusht. Peshqit e liqereve kullosin bar nëpër korije. Skrapari prapa kodrës është zhytur në një vaskë hidromasazhi me qumësht. Labëria po bën dush. Devolli pi raki me gjyma. Kukësi po bën llixha në Peshkopi se i dhemb kurrizi. Karavastaja po zë peshk me dinamit te Gjiri i Lalzit.

Te Ura e Gostimes po bëhen bisedime për t’i dhënë fund konflikteve në Lindjen e Mesme. Lushnja po mjel lopët. Kolonja po negocion me Tropojën për Fatet e njerëzimit. Kepi i Rodonit pi kafe me Nëmërçkën. Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një hënë të plotë në mes të ditës. Pak më tutje sa një vrap pele shtrihet Gjermania.

Italinë e ke tek semafori i tretë kthesa e pestë djathtas, brryli i tretë majtas. Amerika po bën muhabet me ca muxhaidinë në një kafene në Sauk. Shkodra me minifund ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç. Lezha me shapka po lan Benzin me ujë pusi. Puka ka ndalur në mes të rrugës se i është çpuar goma.

Sulova shet shalqinj duke bërtitur. Dumreja me rroba banje në mes të rrugës lajmëron fundin e botës. Kruja bën qitje me pistoletë. Mallakastra bën Dashuri me Laçin. Horizonti oqean i përflakur gjaku.

Matanë rrugës kullosin dele që i ruan një bari me gunën sa Divjaka dhe kërrabën që i nis në Rroskovec, kalon mbi Shpirag, dhe mbaron majë Baba Tomorrit.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: KENI DASHURI PËR FEMRAT, POR NUK I RESPEKTONI…