Poezi nga Edmond Tupja
Ah, ti linde si drita më e paqtë,
Fëmijë krejt, krejt i mbarë,
Vetëm për botën s’pate kureshtje,
Dikush ta kishte vrarë,
Në heshtje.
Asnjëherë nuk pyete
Pse, kur bie shi,
Retë me tokën bëjnë dashuri,
Pse, kur shfryn furtuna me furi,
Zemërim’ i saj jehon i zi,
Pse, kur bie dëborë për mrekulli,
Aq gëzim rrezatojmë ne dhe ti.
Asnjëherë nuk pyete
Pse, në çdo pranverë,
Lulet këndojnë me ngjyrat plot erë,
Pse, në çdo vjeshtë,
Gjethet e trishtimit trokasin në derë,
Pse, përherë,
Plaku i Vitit të Ri dhurata do të të bjerë.
Asnjëherë nuk pyete
Pse, kur gëzim ndien,
Njeriut shpirti ëmbël i shkëlqen,
Pse, kur brenga thellë e bren,
Në zemër limonti i nden,
Pse, kur dëshpërimi e mbërthen,
Vetë jeta befas e zhgënjen.
Ah, ti linde si drita më e paqtë,
Fëmijë krejt, krejt i mbarë,
Vetëm për botën s’pate kureshtje,
Dikush ta kishte vrarë,
Në heshtje.
ObserverKult
—————-
Lexo edhe:
Edmond Tupja: Pas vdekjes sonë përherë shi do të bjerë
Kur bie shi në rrugën me rrudha
Në ballkon del ti dhe shiun shijon,
Por neve në shpirt dhimbja na jehon
Mes frikërash sterrë e të paudha.
Është ajo dhimbje që thellë na gërmon
Sa herë në sytë të shfaqet flurudha
E ankthit që për ty do të dalë nga guva
Ditëve me shi, pa ne, në ballkon…
Poezinë e plotë e gjeni KËTU