Unë hapa krahët drejt universit fluturimthi mbi çdo gjë
pa patur frikë se do të rrëzohem maleve me atë zë ujku.
Të lutem, të përgjërohem të më vish pas aromës sime
ajrit kur do të largohem kokëulur,
oqeanit ku u puthëm për herë te parë,
ëndrrave që lam para Hënës shpalosur,
reve që përqafoja kur ti fshiheshe pas tyre.
Eja,
eja pas meje si një ujk i uritur,
shpirti digjet nëpër qiej të magjishëm pa ty.
Këmbët më dridhen teksa ngjitem përsëri lart për të ikur,
kujtimet më kanë turbulluar sytë, dhe nuk shoh
ngrohtë, shumë ngrohtë më është bërë balli
djerset e mia
epsh në trupin tënd.
Unë e dua i thash,
duke e shikuar në sy, mbështjellur në ajër
perëndoi pas horizontit dhe s’më pa teksa denesja
rrufesë së fortë
që ishte bërë gati për të me quar në djall.
Shpesh herë zhvishesha për të ta shfaqur shpirtin,
atë hije për të cilën të flisja netëve e dehur pa krahë,
për të ikur me ty nëpër nuancat e ndryshme të zjarrit
por ti nuk shihje përtej hundës tënde.
Pa më thuaj
si është e mundur të jetosh në atë grumbull qelizash?
në atë tunel pa drita ndezur për të ecur,
nëpër shtratin e yjeve që shëndrrisin,
në atë kohë, pa kohë
për të rigjetur shpresën.
Është shumë e qetë kjo natë për mua
arrij të dëgjoj edhe zhurmën e organeve të mia,
bëj sytë kokërr të gjej atë copë dritë në maje,
teksa bota fle në gjumin e thellë pa ëndrra.
Mos beso në mrekulli më tha,
duke ulur kokën poshtë i shtrëngoi dhëmbët fortë,
dhe vazhdoi ta pij kafen e tij, akull
pa menduar se këto pika të vogla loti
janë shumë të ashpra në lëkurën time të butë.
Atë natë kisha lyer buzët me të kuqe,
pranë dritares pa xhama për ta pritur djallin,
asgjë më nuk kishte rëndësi.
Ata flisnin mes vete, qeshnin dhe shikonin përreth,
copëzat e thyera tëzemrave
që i shpërndau era e fortë e një pranvere të hershme,
shkelnin shpresat që u humbën njerzëve diku,
qeshnin, duke menduar sa të lumtur janë.
I thash: Ti dukesh më keq se unë,
pastaj shikova lart dhe buzëqesha
sikur pash një engjëll
dhe vetëm për të ngrohtë dielli,
sikur gjithçka pas atij engjëlli ishte errësirë,
dhe u largova ngadalë
pa lënë gjurmë për të më ndjekur ata…
Vrrullshëm bie shiu mbi trupin tim të njomë
errësirën nuk e kam parë më këtej rrotull
mbështjellur labirinteve me të gjitha ngjyrat që nuk sheh njeriu
vazhdoj rrugëtimin !
Si një engjëll ec tingujve,
por nuk e di se ku po shkoj…
universeve pafund për tu magjepsur,
energjisë që më tërheq pas vetës për të më njohur,
apo ëndrrave që nuk u zgjuan kurrë, nuk e di !
Ti sidoqoftë eja pas meje
mu sikur ai ujku i uritur të më marrësh afër vetës
se e nesërmja është veç fjalë.
*Titulli i origjinalit:”Përsëri”
LEXO EDHE: ARTAN GJ. HASANI: RRI E AVULLT, VAJZË…