“Eksodi i madh”, poezi nga Esmeralda Nikaj

Eksodi i madh
Vlorë, 1998

Ata erdhën një mëngjes pranvere
Pa asgjë në duar, e me tmerre të rënda mbi supe

Në rrugën e tyre të gjatë pa e ditur se për ku
Vdekja i kishte shoqëruar në çdo hap

Deti qe bërë shtatë ballë nga dhimbja

Ata erdhën dhe mbushën sheshet e qytetit
Dyshekë patën veç barin e gjelbër të zotit
Shpirtra që sfidojne fatin e tyre m’u dukën

Unë si një mjelmë që përplaset valeve vrapoja t’u sillja fëmijëve buzëqeshje

Pak nga pak erdhën njerëzit me të cilët isha rritur
Strehë u gjet për secilin prej tyre
Bashkë e ndanë bukën, e të atyre u ofrua gjithçka patën
Plisbardhët flisnin për troje dardane me gjak trimash vaditur
Në burgje burrëruar me shije hekurash ne buzë!
Shtëpitë e vogla u bëne familje më të mëdha
Atë kohë në qytetin e Flamurit
Shqiponjat prapë u bënë një!

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA NIKAJ: GRUAJA ME TË ZEZA