Në rubrikën Expo, ObserverKult ua prezanton fotografin, Arton Humolli.
I lindur në vitin 1981, Arton Humolli i takon gjeneratës së mesme të artistëve të fotografisë shqiptare i cili veç karrierës në hapësirat tona kombëtare, është ndër fotografët e rrallë shqiptarë që ka tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare.
Krijimtaria e tij fotografike shtrihet njëkohësisht në disa tema dhe fusha fotografike siç janë: fotografia e modës, portreti, nudo dhe fotografia artistike.
Bie në sy mjeshtria i tij në përdorimin e ndriçimit, veçmas atij artificial, si dhe një kujdes i shtuar në perfeksionimin teknik të realizimit të fotografisë. Janë pikërisht këto vlera që u theksuan, ato që tërhoqën vëmendjen e disa revistave të huaja të cilat herë pas here, i publikojnë fotografitë e Arton Humollit.
Natyrisht prej tyre do të veçojmë revistën prestigjioze parisiene PHOTO (e themeluar në vitin 1967) në të cilën fotografi Humolli, fillimisht kishte dalë fitues i një konkursi të shpallur nga redaksia e saj (“Le Plus Grand Concours Photo du Monde”, 2020) e pastaj kishte pasuar një prezantim i artistit tonë në njërin nga numrat vijues të kësaj magazine fotografike.
Ky relacion bashkëpunimi mes PHOTO-s dhe Arton Humollit kulmoi me një kontratë për shitjen e fotografive të këtij të fundit.
Kur shef portretet e Artonit, në të vërtetë e kupton tërë seriozitetin dhe ndjesitë e tij të derdhura brenda kuadrit fotografik si dhe kupton poashtu, interesimin e madh të personave të ndryshëm (kryesisht nga komuniteti artistik), që të qëndrojnë përballë aparatit të tij fotografik dhe të bëhen subjekt trajtimi i këtij fotografi.
Kjo ngarendje e drejt studios së fotografit Humolli na e sjell ndër mend një thënie të fotografit të madh amerikan Richard Avedon: “Shpesh ndjej se njerëzit vijnë tek unë për t’u fotografuar siç do të shkonin te një mjek ose një fallxhore – për të zbuluar se si janë. Pra, ata janë të varur nga unë. Unë duhet t’i angazhoj ata. Përndryshe, nuk ka asgjë për të fotografuar. Përqendrimi duhet të vijë nga unë pastaj t’i përfshijë edhe ata. Ndonjëherë forca e ketij angazhimi bëhet aq e fortë sa tingujt në studio nuk dëgjohen fare. Koha ndalon. Ne shkëmbejmë intimitet të shkurtër dhe intensiv. Por çdo gjë duket e pamerituar. Nuk ka të kaluar…, nuk ka të ardhme. Dhe kur të mbarojë ndeja – kur të mbarojë fotografia – nuk mbetet asgjë përveç fotografisë… fotografisë dhe një lloj sikleti…”
Ndër sukseset tjera fotografike të Arton Humollit janë dhjetra pjesëmarrje në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit e në veçanti ekspozita personale e tij “Trup e shpirt” në Tiranë (Galeria Kombëtare e Arteve), 2015 dhe realizimi i dokumentarit “Rrugëtim prej Kampioni” i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
ObserverKult
———————
Lexo edhe: