Elona Caslli: Duam Lirinë, por riprodhojmë Diktatorët

elona caslli: im zot
Elona Caslli


Ta duash lirinë është një gjë. Ta kuptosh domethënien e lirisë është një gjë krejt tjetër.
Besoj fort se në thelbin e lirisë qëndron shenjtëria e mendimit ndryshe. Mendimi ndryshe duhet të respektohet dhe të konsiderohet si i shenjtë, në kuptimin që as nuk duhet të cënohet dhe as nuk duhet të preket.
Për gjysmë shekulli vuajtëm unifikimin e mendimit. Për gjysmë shekulli iu mbyll goja një kombi dhe mendimi ndryshe apo mendimi kundër provokonte ekzekutimin e një jete.
Debatet e zhvilluara nëpër rrjete sociale, të japin mundësi të identifikosh kulturën e debatit në shoqërinë tonë. Me keqardhje më duhet të pohoj se si shoqëri kemi kulturë primitive debati.
Mendimin ndryshe apo mendimin kundër e etiketojmë. Argumenti nuk përballet me argument, por me akuzë ose fyerje.
Larmi fyerjesh dhe akuzash shihen në debat si: Idiot, trushplarë, i shitur, i blerë; të paguan X, të paguan Y.
Pra, gjithçka mund të jetë e pranishme në debat veç argumentit logjik.
Fyerja ose akuza vjen gjithmonë kur mungon argumenti. Në mungesë të argumentit, shahet, fyhet dhe akuzohet individi që nuk ka të njëjtin mendim me ne.
Lind pyetja- Sa e kemi kuptuar ne domethënien e lirisë si popull?! Mos ndoshta duhet të ndalemi një çast dhe të shqyrtojmë marrëdhënien që kemi ne me mendimin ndryshe?!
Të akullojmë mendimin dhe ta shohim nga jashtë veten. Duke e parë nga jashtë mund të kuptojmë faktin tragjik se e duam lirinë, por paradoksalisht sillemi si diktatorë.
Thonë se kasta politike e një vendi është pasqyra e shoqërisë së këtij të fundit.
Dhe në mbyllje të këtij mendimi, do të citoja një përkthim të Bajram Karabolli, i cili përshkruan gjendjen tonë sot.
Ky paragraf nga Kahlil Gibran duhet të shërbejë si pikënisje për të rehabilituar marrëdhënien që kemi si shoqëri me mendimin ndryshe.
“Nëse besoni se do ta shkatërroni vërtet despotin që ju sundon, së pari, duhet të shkatërroni fronin, të cilin despoti ka ngritur brenda jush, në zemrën tuaj.
Sepse, si mundet që një tiran të nënshtrojë dhe ta turpërojë një njeri të lirë dhe krenar, në qoftë se në qenien e tij ky njeri është i lirë, në qoftë se brenda tij nuk ka as tirani, as çnderim, por ka vetëm dinjitet dhe krenari?
Dhe nëse ka një të keqe të cilën doni ta zhbëni, mos harroni se këtë të keqe e keni zgjedhur vetë, sepse askush nuk ua jep dot, pa e pranuar ju vetë.
KHALIL GIBRAN
Post Scriptum- Liria para se të jetë e drejtë individiduale për të thënë një fjalë apo për të kryer një veprim, është përgjegjësi individuale për fjalën e thënë apo veprimin e kryer.

ObserverKult