Elona Caslli: Ku ishe ti Zot, kur ma copëtuan të voglën time?!

elona caslli:

Nga Elona Caslli

Është ajo dhimbja që ta çan kraharorin dhe zgjat duart në brendësinë tënde dhe ta shkul zemrën si dhëmballë.
Kriset qielli dhe thërrmohet në duart e tua. Ti ngre sytë lart dhe sheh që nuk ka më qiell. Edhe dielli është zhdukur. Hëna nuk del më.
Kërkon Zotin në zërin tënd. E pyet e i thua – Ku ishe ti Zot kur ma copëtuan të voglën time?!
Faqet e tua kthehen në pellgje uji e sytë e tu në zgavra pagjumësie pêr muaj e vite të tëra. Për një çast dremitesh e në ëndërr të shfaqet e vogla jote. “Mamë, ku je,?!
Ngatërron ëndrrën me jetën e ngrihesh menjëherë. Shkon në dhomën e së voglës dhe fillon t’u marrësh erë rrobave të saj.
E kërkon kudo dhe nuk e gjen askund.
E ndien kudo, por nuk e prek askund.
Hera herës të duket sikur nuk është e vërtetë, se kjo histori nuk është historia jote. Të duket se dikush ka ngatërruar historinë e rrugëtimit tënd me historinë e dikujt tjeter.
Janë bërë lëmsh historitë e dikush të ka dorëzuar historinë e gabuar e ti nuk mund ta jetosh këtë histori se ka shumë dhimbje brenda.
Zihesh me dhimbjen tënde. E dëbon, por ajo rikthehet më e fortë. Sfilitesh e në fund kupton se ajo dhimbje do të jetë gjithmonë aty. Ajo do të të shoqërojë derisa qepallat e syve të tu të mbyllen përjetë.


Post Scriptum- Në pellgun e syve të tu tretet ngadalë edhe një tjetër ditë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ELONA CASLLI: NUK KISHA GJI PËR FOSHNJËN… DHIMBJA E MADHE MA NDËRPREU…