Jemi det
bregu jonë asht trupa fëmijësh të vdekun
me qytete të bombarduem në bark
notojmë në ujna mbushun me kufoma
duke largue me duer andrrat që i kanë ra prej syve.
Heshtja jonë ka ngulë rranjë e ndërton mure verbnie
nuk shohim, nuk na dhemb
kjo nuk asht lufta e jonë
këto të vdekun nuk janë tonët
e pa drojë notojmë në ujnat që dallgojnë frymët e shueme të njeriut.
Asgja nuk asht e sigurtë.
Frika asht më e madhe se qielli përmbi krye
dhe ngusllimi një lule e verdhë që çel në nadet e vona.
Fundi ekziston
nuk e shohim, na sheh, na përkufizon.
A thue ka një kohë me u pendue?
Indiferent mbesim
teksa të vdekunit mblidhen në breg:
varri i tyne asht shtëpia jonë
vdekja e tyne asht vdekja jonë.
Duke mendue për Sirinë
Qershor, 2019