Sa bukur me t’dashtë!
Me t’dashtë,
me e ditë se përditë n’sup t’flejnë sy
t’panjoftun,
por që dritohen prej syve tuej.
Me i ndie se si hapat e tuej t’përpihen n’gjurmë
e bahen kambë t’nji pakohësie që ec, si unë e si ti.
Me t’dashtë,
pa sy e buzë, lëkurë e trup, duer e prekje.
Me t’dashtë veç për frymën e praninë,
andjen shpirtnore që i gufon gjokset
e i çil trupit tonë si sytha jete.
Me t’dashtë për të tana kohët e perendueme e (halà) t’linduna,
e me u bâ akrep, orë,
gjithësi e përjetësi
që s’njeh fill e fund,
por vetëm jetë.
Me t’dashtë
e vetëm me dashtë
At’ që asht Dashni!
ObserverKult
————————–
Lexo edhe:
ELONA ÇULIQ: NUK DUHET ME PASË FRIKË MOS ME U NDJE MIRË…
Nuk duhet me pasë frikë mos me u ndje mirë
Me u ndje e mërzitun dhe e humbun
Me u ndje sikur je vonë për gjithçka dhe ke humbë ritmin e vetes
Nuk duhet me pasë turp që nuk fokusohesh vetëm tek të mirat
Jeta nuk përmasohet vetëm prej tyne
Ti je gjithçka që të kalon nëpër mendjen dhe zemrën tande
Nëse ndjen frikë – ji aty, nëse ndjen dyshim – ji aty
Nëse ndjen humbje – ji aty, nëse ndjen dhimbje– ji aty
Ti je gjithçka ndjen
Ji ajo që ndjen
Thuaje atë që ndjen
Mos u përpiq me e fshehë
As me grim e as me buzëqeshje me vello lotësh
Mos e gënje asnjëherë veten
Në sytë e kërkujt
Mos i thuaj vetes “nesër ka me kenë ma mirë”
Jo, e nesërmja asht sot
Mos i thuaj vetes “kalon”
Jo, asgja nuk kalon,
Gjithçka duhet me e përjetu
Me e gërmu
Me e blue
Me e lanë me të blue
E gërmue
Deri aty ku dhemb
Djeg
Përvëlon…
E zgjon
Nuk duhet me pasë frikë e marrë me qa
Me qa me ngashërim e përhumbje
Para vedit e tjetrit
Nëse loti bjen në faqe – ji aty
Nëse loti t’i mbështillet zemrës – ji aty
Nëse loti ta mjegullon mendimin – ji aty
Nëse loti ta turbullon shikimin – ji aty
Banu lot
Qaj
Qaj
Derisa shikimi
Zemra dhe mendimi të pastrohen
E të mundesh me pa qartë
me sy, zemër e mendje.