Elona Çuliq: Të pres edhe pse nuk du që t’vish


Poezi nga Elona Çuliq

Grija e qiellit m’asht ba pellg lotësh nen kambë
ylli i parë i shpresës s’fundit asht zhugatun me shkëlqim t’sforcuem
ulun kambëkryq n’zbrazëtinë e syve, pritja asht ajo çka di me ba ma mirë.

Të kam prit aq gjatë e ngujueme n’kohë, sa me ec nuk di ma
krahët e fluturimit janë gozhdue mbas drunjëve t’ndërgjegjes
e vedin e kam burgosun n’nji qiell t’braktisun nga fryma e drita.

Të pres, edhe pse nuk du që t’vish
të pres nga zakoni i pritjes mbështetun mbas vetmisë t’athët
të pres nga zakoni i pritjes t’nji pranie që tash s’e du unë.

E ti mos u çudit, askush mos të çuditet
edhe atëherë kur rrudhat t’jenë ba dëshmitare t’jetës,
kur n’kopshtin e pritjes prap t’më gjeni lule margarita tuj mbledhun.

Se unë nuk pres për ty, por për vedi
pres për rrëfimet e pritjes e t’buzëve ku rilindnin vjeshtat
dhe për sytë, me ngjyrat e të cilëve mbush kupat e dollive t’Perëndive.

Ai që nuk e ka provue pritjen, më kot lodhet me e kuptue
ankthin që t’ludron përbrenda derisa nji hap tjetër ia mëson
dorazi si një fëmijë i vogël që ka nevojë për ty.

E askush ma mirë se ti ma mësovi pritjen,
hape librin e përrallës akoma t’pa shkrueme e m’the:
vetëm mbasi t’dish me prit, ke me dit me dasht.

ObserverKult


Lexo edhe:

ELONA ÇULIQ: SA BUKUR ME T’DASHTË!