Elsa Lila dha dhimbjen e vetes si një diva e këngës, na dha humusin tonë të brendshëm, profesionalisht!

Në kapërcyell të këtyre ditëve me ngricë dimri, duke pjekur gështenja, ndoqa natën finale të Festivalit të Këngës 61 në RTSH. Nuk ka dyshim që parada e këngës është një pasqyrë e asaj çka jemi në fund të vitit. Midis dyzimit të parjes në sipërfaqe apo humusit në brendinë, zgjodha të dytën. Është njësoj sikur t’i m’veshësh lëvozhgën e fjalës pas një banketi shik (titull poezie) një gështenje të porsa dalë nga prushi.

Nga Flurans Ilia


Elsa Lila qysh në fillesa të saj si këngëtare ka qenë një fenomen jo i zakontë i hapësirës tonë muzikore. Fituese e Festivalit të Këngës, pjesëmarrëse në Sanremo, Lila është një diva në llojin e vet. E vetme në fakt. Lila është pasqyrë e jona e brendëshme ku shihemi nga jashtë me një “ça ke bo noi gjo t’re?”

Në vitin e mbrapshtë 1997 Elsës i vranë nënën e cila ishte muzikante dhe punonte si kamarjere për të mbajtur familjen. Historia e të fortëve, pushtetit, dhunës, krimit dhe moralit të shpifur, ishte si të thuash në kryerradhë të ligjërimit, çka më vonë do të eksportohej drejt Italisë e më gjerë në Evropë, sepse tregu kishte kërkesa të larta dhe një karakteristikë e evolucionit të shqiponjës si shpend është se nuk mund të ushqehet vetëm në një habitat të vogël.

U lakua sërish nga mediat sidomos nga ato “socialet” emri i Elsës para pak kohësh jo për mirë sigurisht. Njerëz që harrojnë shpejtë, njerëz pa memorie, njerëz të fundvitit që duartrokasin dhe thërrasin, njerëz të fejsbukut, tiktokut, instagramit, kërkonin 1gram dozë për të përftuar empirizmin e nevojshëm të pasqyrës.

Me rikthimin e saj në këtë festë, Elsa Lila dha dhimbjen e vetes si një diva e këngës, na dha humusin tonë të brendshëm, profesionalisht. Më vjen keq për Evitën që nuk mora vesh asnjë fjalë nga shqiptimi, por zëri i Elsës ishte ama gjëja më e sinqertë në kapërcyell të këtyre ditëve me ngricë dimri e lëvozhga fjalësh të pathëna.

ObserverKult


Lexo edhe:

EKZEKUTIMI I NËNËS SË SAJ NË VITIN ’97, SI NDODHI NGJARJA E RËNDË QË ELSA LILA E VUAJTI GJITHË JETËN