Ema Andrea përballë ‘Mefistove’ pushtetarë dhe disa problemeve të dhimbshme për artistët shqiptarë

Në këtë fillimvit, “Arturbina” bëzan… Ndërsa Altin Basha thërret në ndihmë Shekspirin për të shpëtuar teatrin nga koma, tek “Eksperimentali” boshnjaku Dino Mustafiç provokon me Gëten.

Në “Unë jam Memfisto”, me pjesëmarrjen e veçantë të Ema Andreas dhe Ilire Vincës eksperimentohet me “Faustin”, duke i servirur publikut një lojë komplekse. Zgjimi i veprës bëhet përmes copëzimit të saj, dhe afrimi i publikut, gati të pajtuar me mungesën e Teatrit, ka një kosto. Mustafiç rizgjon subjektin, duke e bërë Faustin, thuajse objekt të një skandali. E megjithatë artistët, janë gati për reagimet.

“Ju e keni pikasur se, që në dy skenat e para kjo shfaqje vendos paktin me publikun. Në të natyrisht,ka dhe autoironi, ironi dhe shpjegon qartë se ne jemi gati dhe për reagimet tuaja. Ne jemi gati edhe nëse spektatorët nuk e përballojnë dot dhe mund të vendosin të dalin jashtë”, shprehet aktorja dhe producentja Ema Andra.

Tabloja e shfaqjes që u dha në Teatrin Eksperimental është shumëdimensionale, duke zbuluar edhe nga ajo që ndodh në përditshmërinë e aktorit. Momente nga paskuintat, ku rolet ndodhë të ndahen edhe në biseda tavolinash. Motoja mbetet po e njëjta: Servilizmi shpërblehet, edhe në kurriz të talentit! Fenomen ky që ngushton hapësirat, veçanërisht për të rinjtë e talentuar.

“Fatkeqësisht është kështu në çdo profesion. Ku është ndërtuar një lloj mënyre jodinjitoze e të fituarit të vendit të punës me meritokraci. Në art është pak më e thjeshtë të abuzosh sepse përzgjedhja është shpesh subjektive, apo nëse i referohemi shprehjes klishe ‘është çështje shijesh’, por pastaj kapërcehet e drejta edhe  shijes, edhe e subjektives. Kapërcet e drejta edhe e nivelit, në të cilin trupi artistik do të donte të zgjidhte bashkëpunëtorët në këtë rast aktorët, dhe në kushte kapriçoze nis të tregohet pushteti. Shumë herë i drejtorit, drejtuesve, mund të jenë të ndryshëm. Ndonjëherë ndërhyn edhe politika. E shpesh herë kjo ndodh edhe nga vetë aktorët. Këta të fundit ndodh që  mbasi kanë arritur një standart, janë bërë të njohur, ose janë emëruar (se është një gjë e rëndësishme të emërohesh) harrojnë se çdo njeri, çfarëdo moshe të ketë, ka të drejtën për hapësirën e vetë dinjitoze në profesion”

Por a është përballur Ema Andrea më këtë fenomen dhe cilat kanë qenë kostot?

“Ne fatkeqësisht krijojmë një atmosferë, një tension toksik në të gjitha profesionet, duke mos i lejuar hapësirën dinjitoze njëri-tjetrit. Dhe po, është e vërtetë, natyrisht që e kam kaluar dhe unë. Edhe pse unë ndihem krenare për atë që kam bërë, sepse çdo gjë e kam arritur vetë. Shumicën e roleve të mija, e kam bërë vetë nga “a-ja” te “zh-ja”. Kam dashur të krijoj një teatër ndryshe. Në fillim me pavetëdije, e më pas shumë më e vetëdijshme. E kam krijuar sigurinë, fatkeqësisht jo në këto skena, por në skenat e Evropës. Kam arritur t’i largohem frustrimit që ka pasur komuniteti apo strukturat, për arsye banale, që do të më vinte turp t’i thosha, jo për vete,por për ata. E megjithatë, ia kam dalë!”

Ndërsa kafenetë gëlojnë, pandemia duket gati si justifikim për këtë letargji teatrale të tejzgjatur. Prej vitit që lamë pas rëndom prezantimet e reja kanë anuar edhe nga shou, duke lënë kokulur dramaturgjinë… Shumëkush ka heshtur, por, cili është perceptimi i artistes?

”Gjatë pandemisë mund të them se ka pasur hapësirë për të mos shkelur rregullat, e sërish ti rrije pranë publikut. Pasi format janë të shumta. Nuk ka pasur vizion për ta bërë këtë gjë, sepse askush nuk e kishte parashikuar pandeminë, por brenda rregullave, t’i gjen lirinë për të komunikuar, nëse do të doje që institucioni të funksiononte, qoftë edhe me gjëra të vogla, por që s’do krijonin shkëputje. Shpesh takoj njërëz që thonë se na lodhi kjo “x” shfaqje, sepse koncepti i përgjithshëm i tyre është të argëtohen. Dhe nëse nuk shohin momente humoristike, nëse nuk ka ndonjë shfaqje që ngjason me ‘reality shou-t’, nuk vijnë. Dhe për këtë sërish faji mbetet në rreth. Teatri për të afruar audiencën uli cilësinë. Madje për mua shpesh shkoi edhe në banalitet me atë çka i ofroi publikut. Dhe tani publiku është konfuz, nuk e ka më të qartë nëse duhet të vijë për tu argëtuar a emocionuar. Pra, teatri nuk ka arritur të superojë linjën e banales, aq sa sot audiencës i duket banale përdorimi i një fjale banale. Por, nga ana tjetër nuk u duket banale një vepër që ka një temë të tillë, madje edhe antifeministe”.

Kështu vënia skenike e Mustafiç, këmbëngul për distancim nga çka është sipërfaqësore e rikthim pranë artit, edhe  përmes rrugës më të diskutueshme : Objektivizimit të turpit! Pakohësia, mungesa e kufijve fizikë e bëjnë pjesën edhe më gjithëpërfshirëse. Jeton Neziraj e Klaudia Piroli e plotësojnë pazëllin dramaturgjik edhe me “Mefistotelin e Klaus Man. “Hitler” vihet përballë publikut për të kujtuar përqëndrimin totalitar të pushtetit, që zgjat tentakulat deri tek teatri.

“Në Shqipëri apo edhe në botë sot, shpirtrat mediokër mund të jenë në pozita, sociale, financiare, por mediokër ngelen.”

Poezia e Pol Elyar e kujton, por Mephistot pushtetarë, edhe sot, nuk ia lejojnë lirinë e plotë artistëve e as intelektualëve. Aktorja dhe producentja Ema Andrea, kërkon një moment reflektimi për rivendosjen e vlerave morale.

“T’i lejosh të jenë të qetë artistët dhe intelektualët, t’i lejosh të bëjnë opozitën, është formë për tu rritur dhe për tu përballur. Politika jonë pranon më shumë të ketë një përballje agresive, se sa dikë që thotë mendimin e vet të argumentuar në profesionin e tij. Këtu flas për të gjithë intelektualët”.

Ndërsa për ata që si personazhi Hendrik Hofgen, zgjedhin kompromisin, e të mbështesin ideologji të caktuara politike, do të ketë thuajse përherë shpërblim. Andrea e pranon, ofiqet dhe opozitarizmi, nuk mund të shkojnë përkrah, veçanërisht në vende si Shqipëria, ku demokracia mbetet e brishtë.

“Ndonëse duhet, deri tani ai që bën opozitë nuk mund të jetë në administratë”

Nga ana tjetër, kur e para duhet të jetë vepra, artistët e gjejnë veten në grackën e gjykimit të qëndrimeve të tyre politike, edhe përmes dhunës verbale.

“Kur neve na ndajnë në vlerësime që mund edhe të mos na kishin ndarë, aty shfaqet kompleksi i provincialit. Njerëzit kanë vlerat e tyre edhe fatet e tyre. Dhe të jesh artist i madh nga një vend i vogël nuk është e lehtë. Duke jetuar në vendin e vogë, artistët shqiptar që kanë besuar në art, dhe jo thesht kanë shkuar në punë, kanë punuar në kushte aspak komode për një krijues. Ka ikur koha e ‘yjeve’ edhe në botë. Por aman, karriera i ka lejuar artistët të jenë të tillë. Ne vrapojmë ende si te gara te ‘Unë jam Mefisto’, që ju patë, dhe nuk ka rëndësi se sa vite ke që vrapon. I referohem këtu garës së vërtetë profesionale, ku në fund të jetës ti nuk e di nëse i’a ka vlejtur. Shpesh herë ne i humbasim kolegët tanë, artistët e këtij vendi, duke u vënë në dukje talentin. Por, ndonëse duket e trishtë dhe ironike, kur vjen dita që i përcjellim, themi iku me kaq pak mundësi financiare, me një shtëpi të vogël… Aty njerëzit fillojnë të masin njeriun që e kanë dashur, se si ka mundur të jetojë. Pra është normale që profesioni ynë duhet vlerësuar, se prej aty fillon mundësia jonë për të krijuar më tepër. Pse jo, të kemi dhe ne mundësinë që të marrim lirshëm biletën e avionit, dhe të shkojmë të përballemi me të ngjashmin tonë edhe jashtë vendit”

Në këtë pikë uniteti mes llojit do të ishte edhe më i nevojshëm, ndaj Andrea dhe Vinca tek “Unë jam Mephisto” tentojnë një performancë që synon të arrijë përforcimin e lidhjeve artistike… Një skenë që i kundërvihet përçarjes mes tyre, që në momente kritike, favorizon pushtetarët që t’ia mbërrijnë qëllimeve të tyre, edhe kur nuk janë në favor të artistëve.

“Ajo që unë nuk kuptoj, është kur ne në nominale hedhim poshtë të ngjashmin tonë, duke humbur çdo sens të lirisë së tjetrit. Duke humbur çdo sens të pasqyrës. Në këtë botë të ngresh dorën e gjykimit është shumë e lehtë. Por t’i ruash parimet, qoftë edhe ato sakrificat e vogla… prandaj them se në të përditshmen e vet disa prej kolegëve të mij buka e përditshme u është dukur më e rëndësishme. Pra, kur ti e bën kompromisin e gjen një justifikim, por kur e bëjnë kolegët e tjerë, dikush merr flatra, për të arritur një fitore që gjithsesi është banale. Po, edhe unë jam përballur! Por sot që flasim ende e kam lirinë time personale, sepse unë nuk e kam të nevojshme të shaj apo të sulmoj për të thënë atë që mendoj, qoftë edhe përballë politikës. E megjithatë nuk besoj më tek revolucionet. As tek liria e plotë e artistit, sepse tanimë artisti vetë e ka zvogëluar hapësirën e tij ”

Sesi indiferenca ndaj së keqes rrit “Mephistot” diktatorë, ndërsa njerëzit vetëkënaqen duke e lidhur ekzistencën e tyre “Rreth pjatës”, Andrea e sjell përmes poezisë së Musine Kokalarit. Gjuha e trupit, me lëvizjet e Gjergj Prevazit, ndihmon në ruajtjen e ritmit të shfaqjes, ndërsa “sa hap e mbyll sytë” aktorja shndërrohet nga viktimë, në “Mephiston” a të ngjashmit e tij, që mund të jenë edhe ata që vulosën fatin e shkrimtares.

“Ajo që më pëlqen është se nuk identifikohet. Kushdo që është shkaktar për dhunën, për mosrespektimin e djersës së ballit, për shkeljen e të drejtave të njeriut, në çfarëdolloj sistemi është ai personazhi me fustan të kuq edhe me maskë të bardhë. Kushdo mund të shoh në atë fotografi personazhe që i njeh apo i ka lexuar. Është një shenjë e fortë, e qënsishme në mos në jetën e gjithsecilit, kam përshtypjen në kujtesën e shumë njerëzve…”

Gruaja, dhuna ndaj saj, bëhet një tjetër motiv për dramaturgët dhe aktorët, ndërsa Ema Andrea e ka kthyer gati në kauzë të sajën. Në unison ata tentojnë të thyejnë edhe barrierat e një mentaliteti “mephistian”, ku në pavetëdije një nënë mund të edukojë një dhunues…

“Kjo është grua, jo vetëm e Shqipërisë, por është gruaja e Ballkanit. Dhe ky është një reflektim që bëjmë kundrejt mënyrës posesive dhe të dhunshme të edukimit, ku ne rrisim xhelatin tonë”

Dy breza në skenë, me talente premtuese si Rafael Hoxhaj, Ermir Jonka, Matia Llupa etj., e orientojnë publikun nga dyert e teatrove. Por kush do të vijë? Artistët presin publikun, dhe shpresojnë që pse jo, politikanët ti orientojnë drejt artit e kulturës dhe duke bërë të parët hapa drejt sa.  Veliaj e Margariti kanë qenë portretet e vetme të pikasura nga radhët e politikës në këtë shfaqje, ndërsa mbetet e hapur ftesa edhe për kryeministrin Rama.

“I kam dërguar ftesë kryeministrit, të presë biletën e të vijë, do të ishte shumë mirë për të. Edhe për ne natyrisht. Do të ishte shenjë vlerësimi. Besoj do t’i bënte mirë teatrit, artistëve dhe edukimit të publikut. Fatkeqësisht apo fatmirësisht prezenca e figurave politike bën edhe zhurmë. Por, në këtë rast do të ishte zhurmë e mirë, jo për shfaqjen tonë, në përgjithësi. Një kryeministër që blen një biletë sikurse blen domate, do të preferoja ta shikoja atë fotografi në internet, pavarësisht si do të komentohej. Do të ishte një shenjë shumë e mirë edukimi. Do të bënte efekt”.

Teatri është bërë shkas, që në tryeza ka nisë të flitet për “Mephistot”. Por deri kur? Sërish lipset mbështetja edhe e produksioneve private përmes politikave, zgjedhja për të ndërtuar a shembur ura bashkëpunimi u mbetet përfaqësuesve të pushtetit./shqiptarja.com

Lexo edhe:

RRËFIMI I EMA ANDREAS: NË SHQIPËRI PO TË QESHËSH NË MËNGJES TË THONË A KE PIRË?