Emin Z. Emini: E nesërmja

më pati thënë
nesër
e nesërmja nuk erdhi
kurrë
ajo nuk ekziston
moirë

ajo dhe ti
keni emrin pritje
kotpritje

shpresë e rrejshme te zoti
gënjeshtër perëndish
mallkim i përgjithmonshëm i kohëve
shpikur nga sinapsat e çakorduara

stinë që as ka ardhur
as do të vijë ndonjëherë

është frikë
guxim është

e nesërmja u përket atyre
që nuk kanë rrugë për në të sotmen

*
nuk vjen godoja nesër
qe dje
sot ka mbetur urna
nuk e kujtoni
harruat
në varr u kall e djeshmja

vetëm edhe sot merr frymë godoja
duajeni dhe vriteni
vriteni dhe duajeni
mos e lini për herë tjetër
për kësmet
nuk ka ditë nesër
nesërim
betohem në kokën time të krisur
pjepërçarë nën saçin e diellit
ëndërr kryeneqe është
*
nesër nuk është ndajfolje
është mëkat herezi
fjalë e pakuptimtë
që shkurt prerë ia kemi këmishën
për t’ia miratuar kuptimin mashtrimit

fëmijë i palindur është
paqenësi

paqenësisë
dhënë i kemi
eshtra gjak mish shpirt
ekzistencë

në besim qorr jeton e nesërmja
fal zbulimit madhështor të njerëzve me herdhe gjeniale
bërë kod e injektuar në palcë
në pemën e frymëmarrjes sonë prej injorantësh fatlum’

jashtë dimensionit të universit
universit që nuk njeh kalendarët
e nesërmja jeton
*
sot
në ne