Emin Z. Emini: Mënyra tjetër e kujtimit të dritës

shkronjat e emrit te saj
janë kokrra të kuqe shege
shkapërderdhur në shportën e vetmisë

zogj të bardhë letre
me krahët e thyer në dritare
që shtegëtojnë në pakthim

ndonjëherë i lexoj si shkronja të një bilete të grisur
që të çojnë në askund

herë tjetër bëhen grimca fryme
që ta ndalin frymën
gëllënjka vere në gotën e krisur
që përvëlojnë qelizat e gjakut
dorë veseje mbi ballë
që shuan zjarrminë e mungesës

gurë gacash që djegin lumenjtë e trupit
flutura që pushojnë në petalet e shpirtit
sheqerka të larme që shkrihen në gojë

janë kristale kripe në qiejt e ngrirë
gozhda breshëri që shpojnë ombrellën e kujtesës

në zemrën e germave
nuk është ajo
as sytë e saj bojëulliri të papjekur
as zëri
as aroma e lëkurës

jam unë brenda tyre
që s’dita t’i shqiptoj asnjëherë
që s’munda t’i bëj dritë
siç ajo ishte

ato janë alfabeti i poezisë së harresës
si mënyrë tjetër e kujtimit.

ObserverKult


Lexo edhe:

“VETMIA”, POEZI NGA EMIN Z. EMINI