Emine Maliqi (Pem’za): Nana

pem'za peso - du

Nana flokët i zuni gërshet
e ra me fjetë
i mshefi sytë nën kapakë
sikur don me lu
kukafshehthi

-Njehni ju të trija
deri në dhetë
në mujshit me më gjetë!

Nana ma s‘u çu
trupi i saj Në tjetër trajtë u kthy-
të nesrit
e lajtëm bardh
e krehem lëmojt
e mlum me dhê
Për shpirtin e saj
u zumë keq ndër veti
njena e donte në poç të mjaltit
tjetra n‘arkë petkash
e unë në dollap letrash

dikur ramë n’ujdi:
secila mori nga nji copë nanë
m’e rujtë qysh di

*shkëputur nga libri Emine Maliqi: “Kuqmi flokët e thimë”, Littera, 2022

ObserverKult

Lexo edhe:

“KUQMI FLOKËT E THIMË”, EMINE MALIQI VJEN ME NJË ZA ORIGJINAL E TUNDUES

Emine Maliqi

Shtëpia Botuese Littera solli për lexuesit, librin me poezi të autores Emine Maliqi, “Kuqmi flokët e thimë”.

Nga sot, kudo nëpër librari lexuesit mund ta gjejnë librin “Kuqmi flokët e thimë” të poetes Emine Maliqi.

“E njihni si Pem’za Peso. E dalloni për ndjeshmërinë, emocionalitetin, brishtësinë që përcjell përmes vargjesh. Për veçantinë në të shprehun e po ashtu edhe për formën e shkurtë të shtrirjes e përmbledhjes së mendimit.
Kjo është Emine Maliqi, që me poezitë e përmbledhura brenda kopertinave të këtij libri të sapobotuar, ju mban të mbërthyer fort deri në vargun e fundit “, thotë botuesja Donika Dabishevci, teksa ndan me lexuesit lajmin e botimit të librit.

nana emine maliqi

Ndërsa redaktori i librit Agim Morina thekson se leximi i këtij libri është aventurë magjike nëpër një botë poetike krejt autentike.

Agim Morina: “Bota poetike e Emine Maliqit asht një botë e vjeshtës: e vjeshtës së jetës, e vjeshtës së dashunisë, e vjeshtës së kujtimeve, e vjeshtës së fjalëve. Metaforat e saja janë gjethe, kuptimisht të shumngjyrshme dhe figurativisht të pangjashme, të një pylli egzotik.
Ajo e kthen poezinë në lojë, lojën në pamje e pamjet në dhembje. Kështu, herë na e shun etjen nëpër gurra haikush, herë na shfaqet si një Banksy poetik e herë si vajtojcë mitike.
Vjeshta në poezinë e saj nuk asht stinë, asht gjithësi, asht një njëmendësi e re, Nana – një yjësi, Baba – një yll në shuemje e sipër e ajo vetë – një meteor që zdirgjet e digjet furishëm nëpër natën e enigmave egzistenciale.
Tue qenë e çiltër deri në dhembje, tue pasë një za origjinal e tundues, poezia e Emine Maliqit nuk asht një lexim i zakonshëm, por një aventurë magjike nëpër një botë poetike krejt autentike.”

_____________

Libri vjen i punuar me përkushtim edhe në aspektin teknik nga Fahredin Spahija i cili u kujdes për ballinën dhe dizajnin.

Botimi i librit “Kuqmi flokët e thimë” të Emine Maliqit prej Shtëpisë Botuese Littera, u mundësua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.  

ObserverKult

Lexo edhe:

‘LITTERA’ BOTON: BELLIZIN, TOPANICËN, EMININ, MALIQIN, ADEMIN …