Emrullai: Dua një perëndim dielli të purpurt që zgjat përgjithnjë…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Nurie Emrullai.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Një shtëpi e cila në vend të mureve është e rrethuar me dritare, tavolinë e madhe e mbushur me libra dhe fletë të pastra, ca pendë për të shkruar dhe çokollata të mbështjellura me letra shumëngjyrshe, albumin e Leonard Cohen You Want It Darker. Dhe një perëndim dielli i purpurt që zgjat përgjithnjë.

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika më e madhe është që kurrë mos më mposhti frika.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Këdo që e takoj dhe tek unë përcjellë energjinë e pastër të shpirtit; nuk ka rëndësi se ku mund t’i takoj ata njerëz, qoftë në rrugë, a në pazar duke shitur lule, në ndonjë vend të huaj… por nëse personi më flet me zemër mund ta admiroj për gjithë jetën. Fuqia me të cilën u japin jetë sendeve më bën t’i admiroj ata.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironi të identifikoheshit?

Me Mbretëreshën Teutë. Para ca kohësh lexova veprën e Mira Meksit “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”, u thellova dhe u mahnita me historikun e kësaj figure të madhërishme. Dhe gjithsesi të dyja jemi adhuruese të lules së Shpatës apo siç njihet ndryshe Lules Iris. Por tani që e kujtoj, çdo periudhë e jetës sime ka pasur personalitete të ndryshme që kanë qenë model ku jam bazuar për tu formuar, por fiksimi më i madh ka qenë ai i fëmijërisë, atëherë kur duhet t’i kem pasur 10 vjet, atë kohë unë doja t’i ngjaja Nënë Terezës. Por nuk më eci shenjtëria, ndërsa me Irisa kam mbushur gjithë oborrin.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Tipari im që nuk e pëlqej: të mos i marr gjërat aq seriozisht. Sikur të mundja të lë që të rrjedhin gjërat, sepse siç thotë Herakliti- “Asnjëherë nuk lahemi në lumin e njëjtë, sepse ujërat e tij ndërrojnë. ”

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni te të tjerët?

Tek të tjerët nuk pëlqej kur nuk e mbajnë fjalën e dhënë, qoftë ajo dhe për diçka tepër të vogël. Kur nuk veprojnë në atë që thonë por i kanë vetëm fjalë, atëherë humbas interesin për to.

Në cilat gjëra e teproni?

Çokollata dhe vetëm çokollata dhe ndonjëherë me melankolinë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

 Të humbem drejt misterit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Ne jetojmë në realitete të ndryshme.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Për asgjë që kam bërë dhe për asgjë që nuk kam bërë. Më gjithë të bërat e të pabërat ndërtohet rrugëtimi i quajtur jetë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Dashuria e madhe e jetës është dashuria vetë, për gjithçka dhe për këdo që di ta marri dhe lejon ta njohë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Në harmoni të plotë me shpirtin.

Nëse do kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte?

Për momentin jam mirë kështu, ka raste kur do përmbysja gjithçka,  mbase këtë çast do doja mos e kisha te vetja.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Të arriturën time më të madhe e konsideroj që kam arritur t’i vihem pas njohjes së shpirtit, vetëdija e lartë që kam për sendet që më rrethojnë; që di t’i përulem tokës e qiellit.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Kohën. Pritjen, të gjatën pritje…

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, cili njeri apo send do të zgjidhnit të jeni?

Një lule. Një esencë parfumi. Një yll i largët. Mundet dhe një xixëllonjë.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?

Të gjithë librat që i kam me dedikime. Njëjtë, gjithçka që kam në murin tim dhe në dhomën time nuk mund ta heq më prej aty, ka marrë një lloj peshe e cila vlen dhe jep energji të pastër saqë nuk do mund të zëvendësoja me gjë tjetër.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Të jetosh pa ditur se jeton. Të shikosh pa arritur të shohësh.

Ku do të dëshironit të jetoni?

Në Shqipëri. (derisa edhe vendi im të quhet Shqipëri do ta quaj veten si njeri pa atdhe.)

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

Sinqeritetin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

Thjeshtësinë.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Fernando Pessoa përgjithmonë. Milan Kundera, dhe këtë kohë jam nën vargjet e Jorgos Seferisit. Shkrimtari im i preferuar mezi pret ta njoh unë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Kushdo që beson në jetë, në mirësinë dhe në dashurinë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Të dija të tregoja barcoleta dhe të këndoja.

Si do dëshironit të vdisnit?

Do të doja… Prit, kush i shkon deri në fund mendimit për vdekjen?

Cila është motoja juaj?

Është një këngë e Leonard Cohen që më vjen në mendje:
“It is in love that we are made
In love we disappear.”
“Në dashuri jemi krijuar
Në dashuri zhdukemi.”/ ObserverKult