Nga Enrico Galiano
Kam punuar si kamarier për njëmbëdhjetë vjet. Mes shumë gjërash, kam mësuar dhe që bota ndahet në dy kategori: ata që i japin pjatën kamarierit dhe ata që nuk ia japin pasi mbarojnë së ngrëni.
Të parët, janë ata që të shohin, që e kuptojnë se je aty, po bën punën tënde, po lodhesh e pasi mbarojnë së ngrëni u duket krejt e natyrshme të ngrenë pjatat bosh e të të ndihmojnë t’i largosh nga tryeza, pa qenë nevoja që të përkulesh çdo herë që duhet t’i mbledhësh, duke rrezikuar të të bjerë tabakaja që ke në dorën tjetër.
Madje, zakonisht të thonë edhe faleminderit, sikur të mos ishin ata që po të bëjnë nder. Më vinte t’i përqafoja. Një gjest i thjeshtë që s’kushton asgjë, por që do të thotë shumë. Më kanë pëlqyer gjithmonë këta lloj njerëzish. Janë thuajse gjithmonë njerëz të thjeshtë, të sjellshëm, që e dinë se ti si njeri, ke dinjitetin tënd, nuk je shërbyes, por punonjës.
E dinë se sa me fat janë që ata ndodhen të ulur aty, ndërsa ti në këmbë duke punuar e lodhur, që ata të mund të jene të kënaqur. E them këtë, sepse në jetë, më ka ndodhur të gjendem në një tryezë me shumë njerëz: shkrimtarë, politikanë, personazhe publikë, të TV, dhe pjesa më e madhe e tyre, megjithë pushtetin, rëndësinë, simpatinë e tyre, shpesh ishin njerëz që nuk e ngrinin pjatën nga tryeza e t’ia jepnin kamarierit.
Madje disa syresh i trajtonin keq dhe me përbuzje. Dje, pikërisht dje, isha në një tryezë me Clara Sanchez. Nuk e di nëse e njihni, por është një shkrimtare që ka shitur me miliona kopje të librave të saj në botë. Një grua që ka plot arsye për t’u ndier e realizuar në jetë. Për t’u ndier e rëndësishme. Pasi mbaroi së ngrëni, e ngriti pjatën dhe ia dha kamarierit.
Sado e mirënjohur, e pasur, e realizuar, veten, sjelljen, edukatën e tregon me veprime të thjeshta, edhe kur thjesht i jep pjatën një kamarieri pasi mbaron së ngrëni.
ObserverKult
Lexo edhe:
MOTIVUESE: KA ENDE ARSYE PËR TË BESUAR NË NJË BOTË MË TË MIRË!