Entela Kasi: Trëndafili i tetorit

entela kasi

…Dritë, shtangur në pikëllim
bëhu e qartë, bukur!
Si dashuria që mban,
si motivi që këndon me gaz shpresën
që mbërrin tek ti
prej dritaresh të trishta
Loti nuk mjafton për të puthur
buzën e dridhur
Lutja po! Buzën që lut pëshpërima
të jetosh, i bukur i qartë
i fuqishëm të ngrihesh të sfidosh
si ti di…
Njeri i botës që kapërthehesh
limiteve
kufijve të saj.
E ti ngrihu!
Pi një pikë uji jetik me mua
në globin që rrotullohet
ditë netëve
ankthit,
jeta ka vetëm fillim
si dita që e nisëm bashkë
si rruga që e patëm nisur
si shtëpia që po ndërtohet
si dashuria
si fëmija që lindet…
Dritë, bëhu e qartë!!!
E pi një pikë uji
lëngun e buzëve
dehës në marramendje
në dashuri pa frikë…