Si shtypa materialet e Luftës të Enver Hoxhës dhe disertacionin e Sali Berishës
Rrëfimi i 89-vjeçarit Guri Lubonja
Duart nuk më kanë lënë akoma. Ulem mbi makinën e shkrimit që e kam mësuar në moshën 12-vjeçare dhe hedh herë pas here mendime dhe shkrime. Më mundon pak shikimi. Deri tani janë me mijëra fletët e shkruara nga dora e Guri Lubonjës. Mbetet një nga të fundit liceist që ka pasur profesor Enver Hoxhën. Këtë fakt ai e shpreh me krenari. Jo vetëm që e kisha profesor, por pata rastin që në vitet e Luftës të radhis materialet e shkruara nga dora e tij. Materialet që kishin të bënin me punën e partisë nënshkruheshin: “Tarasi”, ndërsa ato që kishin të bënin me Luftën dhe shtypin nënshkruheshin: “Shpati.”
-Si mësuat të shkruanit me makinë shkrimi?
-Unë kam lindur në vitin 1920 në qytetin e Korçës. Në moshën 12-vjeçare unë mësova të shkruaj me makinë shkrimi. Unë rridhja nga një familje punëtorësh. Babai ishte murator, por ai nuk ma preu hovin për të marrë njohuri e dije të kohës. Unë mbarova Liceun Francez, në vitin 1938, por mundësia për të punuar me makinë shkrimi m’u dha më përpara.
-Si u krijua kjo mundësi?
-Dhori Kotin që kishte shtypshkronjë nëna ime e kishte xhaxha. Ai më mori në shtypshkronjë në kohën e pushimeve dhe më mësoi zanatin. Unë shkoja merrja libra tek ai dhe më pëlqente makina e shkrimit. Unë ndoqa Liceun Francez dhe në pushime vija e punoja në shtypshkronjë. Kjo më ndihmoi që unë të isha mes atyre punonjësve që përdorën teknikën e kohës në dobi të Luftës duke shtypur trakte, komunikata, buletine të ndryshëm, materiale të udhëheqjes.
-Kur e kini njohur Enver Hoxhën?
-Unë e pata profesor. Në mendje më mbeti qartësia e të shkruarit prej dorës së tij. Unë që në vitin 1938 kam qenë me Grupin Komunist të Korçës. Pasi mbarova Liceun unë nisa punë në shtypshkronjën e Dhori Kotit. Punova në këtë shtypshkronjë deri në vitin 1942. Gjatë kësaj kohe unë shtypja komunikata, trakte. Pastaj u hodha në ilegalitet se më vunë në shënjestër armiqtë. Në tetor të vitit 1942 kam shkuar në Moçan të Gorës ku kishte një teknikë të shkrimeve. Aty takova Enver Hoxhën dhe unë u lidha me Shtabin e Përgjithshëm. Më urdhëroi që të shkoja të punoja me teknikën e shtypit që ishte vendosur tek Guri i Muzhaqit.
-Sa kohë qëndruat në atë shpellë ?
-Aty mbushëm 14 muaj. Ishim tre veta në radhitje të materialeve, një në pedalinë dhe një korrier. Ishim partizanë që luftonim me tjetër armë. Ishim pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së dalë nga populli. Me mua ishin edhe dy vëllezërit Andon Deçka që shërbente si kuzhinier i shtypshkronjës më të rrallë në ato muaj që ishte ngritur në një shpellë dhe Qiriako Deçka që përdorte pedalinën, një makineri që shërbente për të shtypur materiale. Pastaj na diktuan dhe ne u shpërngulëm për në Shpat të Çermenikës, ku aty gjeta Dhimitër Shuteriqin së bashku me Myneverin, që u njohën aty dhe u martuan më vonë.
-E njihnit kur ishte në Korçë?
-E mbaja pak mend, se ishte më i madh nga unë. Por, kur u bashkuam me teknikën e shtypit të partisë u njohëm më mirë dhe e mbajtëm miqësinë në Tiranë.
-Në ato muaj Lufte çfarë shtypnit tjetër?
-Veç materialeve që na dërgonte Enver Hoxha shtypnim dhe historinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që e përkthente Sejfulla Malëshova. Buletine shtypnim. Misto Treska na dërgonte materiale. Luftën nuk e bëmë vetëm me pushkë e me trima kokëkrisur.
–Shkrimet e Enverit kush i sillte?
-Korrieri. Unë e dalloja shkrimin se kishte një shkrim të qartë. Por edhe nga nënshkrimi në fund. Unë kur e takova në tetor të vitit 1942 në Moçan të Gorës e i thashë, pasi ai më ngarkoi që unë të merresha me teknikën dhe shtypin e Shtabit të Përgjithshëm, si urdhëron shoku Enver, ai ma ktheu që nuk jam Enveri, por jam Tarasi.
-Sa herë e takuat Enverin gjatë Luftës.
-Dy herë jam takuar gjatë Luftës. Pastaj dy herë i kam shkuar në shtëpi në vitet 1950 dhe 1952.
-Si mbaroi Lufta ku u “emëruat”?
-Pas mbarimit të Luftës unë qëndrova tre vjet në Elbasn. Pastaj më morën redaktor të politikës së jashtme te “Zëri i Popullit” ku punova 10 vjet. Në shkrimet e mia kam kritikuar Amerikën, NATO-n. Si u largova nga kjo gazetë nisa në drejtorinë e botimeve universitare si redaktor deri në vitin 1965.
-Po më vonë?
-Më vonë shkova në Fakultetin e Mjekësisë ku u mora me botimet si redaktor dhe me përkthime shkencore nga frëngjishtja, që u shërbenin si studentëve, ashtu edhe pedagogëve të mjekësisë. Edhe Sali Bersishës i kam përkthyer nga frëngjishtja. Madje Dizertacionin e Sali Berishës “Infarkti i Miokardit” e kam radhitur unë në makinën e shkrimit dhe e kam redaktuar. Më kujtohet që ka qenë nja 200 faqe, kur u botua si libër.
-Ju keni njohur edhe Enverin edhe Sali Berishën?
-Për Enverin nuk kam ç’të heq asnjë presje. Për Sali Berishën të them të drejtën që studionte, por tani pas kthesës sikur po e harron “luftën”. Ishte energjik. Unë jam kundër hyrjes në NATO. Ajo luftë ka mbjellë. Mua më tremb fakti se historia e Luftës së Dytë Botërore po varroset. Një popull që nuk respekton historinë e vet, mbetet pa histori. Kushdo individ ka historinë e tij dhe tërësia e individëve përbën historinë e çdo kombi. Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk bëmë luftë pushtuesish. Dokumentet e Luftës duhet të kenë pavion më vete e të ruhen në muze si i ka bota dhe shtetet që dolën fitimtarë, por edhe ata që humbën kanë të shkruar e të pacenuar historinë e tyre.. Kur ne nuk e bëjmë dot historinë me të shkruar vetë, të tjerët do të na i bëjnë sipas oreksit të tyre.
-Si e gjykoni sot Luftën e fundit botërore?
-Një nga luftërat më shkatërrimtare. Evropa e ndezi dhe ajo pësoi dëmet më të shumta prej saj. Viktima, qytete të shkatërruara. Pati fitues dhe humbës. Mbetet pjesë e historisë së marshimit njerëzor. Mesa më kujtohet mua u shënuan 50 milionë viktima. Ku 20 milionë i la Rusia dhe 6 milionë Gjermania.
-A ka pasur teprime apo redaktime kjo Luftë?
-Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk e gjykojmë veten për teprime apo për redaktime të kësaj Lufte.
Pëllumb Çuni
*Dhënë për “Telegraf”, më 12 janar 2009
Lexo edhe:
DHURATA E DIKTATORIT ENVER HOXHA PËR NËNËN GJIROKASTRITE, DY DITË MË PAS I EKZEKUTOI DJALIN…