Erina Çoku: U bâ ftyra jote…

Poezi nga Erina Çoku

Edhe pemtë ma t’çuditshme
kanë fillu me çelë
veç teje
qe priton prej sythi me dalë
e degë nuk bahesh kurrë
po s’ke faj, s’ke
ftyra jote veç mu â tu m’ngallitë.

Tanë bota â ka rrehet
se pranvera erdh,
veç meje
që s’di ça t’baj
me kët’ shqisë t’pabindme
si m’ del natyret
e sillet n’kërkim t’ftyrës tande.

Jotja ftyrë n’ftyrimin tim
herë m’nji mur lazdrohet
herë m’nji pikë uji turbllohet
herë me tanë kalimtarët
m’përngjahet,
aq sa qafat m’vjen me ua prekë
me mollëz t’gishtit
e me i fikë mirazhet e buzëmbramjes.

Agsholi m’ka qeshë
tanë andrrat e sajume n’marri
e jam kah zdrisem
mes ditës e natës
pa mujtë m’u thurë e plotë
prej ftyrës tande me sy muzgu.

Edhe sa kohë pra,
ftyra jote
ka me u mshehë n’xhepa t’tu,
as e shkrume, as e folme
as e ngjyrume n’sheja t’stinës?
Edhe sa kohë kam m’e duru
kët’ botë t’veshme
me lkurën tande pa ndijore?
Edhe sa kohë pra
me shpirtnimin tand t’trazum
n’kët’ lloj bote që e tillë
prej ftyrës tande u bâ?

Edhe sa kohë n’kët’ lloj bote
që u bâ ftyra jote,
që ftyra jote u bâ krejt
qysh se t’pashë në jetët e shkume
e gjer sa jam n’kët’ jetë?
Edhe sa, edhe sa me ftyrën tande?

ObserverKult


Lexo edhe:

ERINA ÇOKU: A E DIN SE NUK TË DU?