Eriona Rushiti: Për dashurinë është shkruar dhe shkruhet çdo ditë, kemi ende tematika të patrajtuara

Që fëmijë Eriona Rushiti e ka shfaqur dashurinë për profesionin e bukur, muzikën. E nisi me violinën, për të vazhduar me kompozim. Eriona është edhe pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Intervistoi:Lindita Canolli Fejzullahi

Jeni violiniste, kompozitore, tekstshkruase, pedagoge. Kur është vërejtur talenti juaj dhe dashuria për violinën së pari. Kush e vuri në pah?

Ju falenderoj për këtë bashkëbisedim fillimisht. Kam qenë 4 vjeç kur fare rastësisht profesori i violinës Islam Petrela zbuloi që kisha “vesh” për muzikë, me riprodhimin e duartrokitjeve apo të tingujve që prodhonte pianoja (kështu zgjidheshin dikur fëmijët që do të studionin një instrument muzikor).

E nisët me violinën, por vazhduat pastaj me kompozimin apo jo. Pse e latë ‘dashurinë e parë’, pse nuk e vazhduat shkollimin e lartë për këtë instrument?

Po e vërtetë. Kam studiuar për 12 vjet violinë, por rastësia përsëri më bëri që më tej të studioja për kompozicion. Sigurisht që dashuria e parë është ajo më e bukura, por “martesën” e bëra me kompozicionin. Kjo pasi që në shkollë të mesme një mësues zbuloi se kisha aftësi edhe në krijimtari. Përgatitjet e para për konkursin në Akdeminë e Arteve i kam bërë me të madhin Çesk Zadeja. E kështu më pas vazhduan studimet për kompozicion në Tiranë dhe ato pasuniversitare në Bukuresht. Më vonë në Gjermani.

Sa zë vend në jetën e juaj sot violina?

Sot violinës i bie rrallë, thjesht kur kam nostalgji, sepse rutina e punëve të përditshme nuk më jep mundësi që t’i kushtoj më shumë kohë.

Kur saktësisht nisët me shkrimin e teksteve, kompozimin. Cili ka qenë teksti i parë, kompozimi që e keni shkruar…A mund të flisni pak më shumë për këtë?

Krijimet e mia të para kanë qenë ato për instrumente muzikore, ansamble muzikore, e orkestër simfonike, gjë të cilën e zhvilloj edhe sot, sepse i gjithë formimi im dhe studimet janë të gjinisë klasike.

Këngët e para i kam shkruar për fëmijë. Ndërsa kënga e parë me tekst e muzikë nga unë ka qenë ajo e Semi Jaupaj që u vlerësua në ‘Këngën Magjike’ me çmimin ‘Best Tendence’. Më pas vazhduan pjesëmarrjet e mia në pothuajse të gjitha festivalet që zhvillohen në Shqipëri e Kosovë.

Nga kush frymëzoheni?

Frymëzimin e marr nga çdo detaj i vogël që më ngacmon emocionet: mund të jetë natyrë, muzikë, portret i një njeriu, loti i dikujt e detaje të tjera.

Jeni edhe pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë, por njëkohësisht krijoni edhe muzikë të bukur për artistët më në zë shqiptarë. Na përshkruaj ndjesitë si është tu mësoni hapat të rinjve në rrugëtimin e bukur të muzikës?

Mundohem në radhë të parë të vendos një raport të bukur njerëzor me studentët. Që aty nis mësimdhënia. Mësimet i zhvilloj gati si bashkëbisedime muzikore dhe teorike. Jap me gjithë shpirt gjithçka di e kam mësuar, që t’ua lehtësoj orën e mësimit.

E njëjta gjë ndodh edhe me këngëtarët. Krijoj lidhje të afërta me çdo artist.

Puna juaj në theks të veçantë karakterizohet edhe me këngëtarët, pjesëmarrës në Eurovizion. Së fundmi Albina Kelmendi me këngën ‘Duje”, këngë që pati mjaft jehonë. Sa jeni ndarë ju e kënaqur. A e keni pritur këtë sukses?

Po kam qenë në Eurovision me Jonida Maliqin dhe me Albina Kelmendin dhe familjen e saj. Të dyja eksperienca të jashtëzakonshme. Janë të tilla se para së gjithash përfaqësojmë vendin tonë dhe Eurovisioni është aktiviteti më i madh artistik që zhvillohet në Europë. Suksesi për vendin tonë të vogël dhe pa shumë mundësi financiare është përfaqësimi dinjitoz artistik.

Cilat janë detajet, elementet, apo tematikat që përfshini në këngë?

Përgjithësisht në tektset e këngëve trajtoj më së shumti tema e mesazhe sociale. Për dashurinë është shkruar dhe shkruhet çdo ditë, ndërkohë që kemi ende shumë tematika të tjera të patrajtuara. Ndaj fokusohem më shumë tek këto.

Keni bashkëpunuar me këngëtarë nga Shqipëria dhe Kosova. Në Kosovë kend do ta veçonit? Pse?

Në Kosovë më së shumti kam bashkëpunuar me Mentor Hazirin, me të cilin kemi dashur të punojmë mbi muzikën e frymëzuar nga etnosi ynë dhe kryesisht nga melosi shkodran.

Pastaj me Festina Mejzini, Albina Kelmendi, Nita Latifi dhe së fundmi edhe me një këngëtare shumë interesante e plot sharm artistik.

Puna juaj është vlerësuar me shumë çmime, por cili nga çmimet është më i veçanti për ju?

Nuk ka asnjë të veçantë. Të gjitha krijimet duhen njësoj sepse bëhen me frymëzim dhe shumë dashuri.

Sa e vlerësoni muzikën që po bëhet sot, dhe a mendoni se do të ‘mbijetojë’ muzika e mirëfilltë shqipe?

Ashtu si të gjitha aspektet e jetës që janë prekur nga teknologjia, rrjetet sociale e të tjera edhe muzika është bërë pothuajse sipërfaqësore dhe thjesht reklamuese. Por këtu nuk futen të gjithë. Pjesa tjetër e këngëtarëve apo kompozitorëve vazhdojnë artin e tyre pa u bërë “pis” e pa u ndikuar nga sa thashë më sipër.

A ke ndonjë peng që të ka mbet në jetë?

Nuk më vjen asgjë në mend në këto momente.

Ju keni nisur së fundmi një projekt, në kuadër të ‘E diela Shqiptare’ apo jo. Na flisni më shumë rreth kësaj?

Me një ftesë dhe ide të Ardit Gjebreas pranova me kënaqësi të bëhem pjesë e këtij projekti, sepse në fakt është edhe puna ime e përditshme që bëj me studentët. E njëjta gjë ndodh edhe aty. Zbulojmë zërat më të bukur dhe në fazën e parë mundohem që të orientoj çdo konkurent rreth stilit apo rrymës muzikore që i përshtatet më tepër. Pra, me pak fjalë u vij në ndihmë që të zbulojnë veten dhe aftësitë më të mira që ata kanë e që ndoshta ende nuk i dinë.

Është zhvilluar vetëm java e parë deri tani.

Po ndonjë tekst të ri, bashkëpunim me ndonjë këngëtar a presim së shpejti

Po. Së bashku me Enis Mullaj dhe Viola Gjyzelin fituam çmimin e parë në ‘Junior Fest Albania’. Së shpejti na duhet të organizojmë e të bëjmë gjithçka gati për përfaqësimin e Shqipërisë në ‘Eurovision Junior’ që do të zhvillohet në Nice të Francës.

Jam duke punuar gjithashtu për Festivalin e madh të Rtsh-së ( muzikë dhe tekste), jemi në hapat e fundit.

Cila është porosia juaj për këngëtarët e rinj, kompozitorët. Ku duhet të fokusohen më shumë?

Të dëgjojnë e të “ushqehen” sa më shumë me muzikë të mirë. Të analizojnë gjithçka të re e artistike, pra të jenë në hap me kohën dhe sa më shumë punë.

Ju faleminderit/ObserverKult


Lexo edhe:

KOMPOZITORJA NGA KOSOVA, DONIKA RUDI, PJESË E “PERGINE FESTIVAL” NË ITALI

Kompozitorja shqiptare, Donika Rudi, përmes një njoftimi në “Facebook” ka bërë të ditur se që nga data 17 do të jetë pjesë e Pergine Festival (Edicioni 46) në Itali, ku do të nisë punën hulumtuese në kuadër të IN SITU – European Platform for Artistic Creation in Public Space, në lidhje me impaktin e muzikës akusmatike te komuniteti i shurdhër.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se përveç punëtorisë “Sentire / Ascoltare” që do të zhvillohet lidhur me teknikat e përjetimit të tingujve me anë të prekjes, vibrimeve por edhe metodave tjera kryesisht “spaciale”, do të interpretojë disa nga veprat e saj në oktofoni, për të eksploruar eksperienca të tjera të përjetimit “dëgjimit” të muzikës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult