Ermonela Jaho: Njerëzimi ka nevojë për muzikë, gjuhën e shpirtit tonë

Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, është një nga yjet më pasiononte të operës në planet. Çdo performancë nga Jaho, qoftë interpretim i saj i famshëm në “Madama Butterfly” apo “La traviata” është plot me energji që jeton me ju gjatë edhe pasi që keni pasur mundësinë që të bëheni dëshmitar i saj.

Jaho shumë shpesh i ka dhënë merita për intensitetin e performancës së saj, jo vetëm anës së saj artistike, por edhe energjisë që pranon nga publiku dhe ndjekësit. Si personazh i radhës në serinë “Opera në kohën e virusit COVID-19” të ueb-faqes “OperaWire”, ajo e bën të qartë se sa esenciale është kjo jo vetëm gjatë performancave, por veçmas gjatë kësaj kohe të karantinës kur kjo energji është shumë e vështirë dhe e pamundur të pranohet, transmeton ‘koha’. Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë nga intervista e saj. 

– Çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe për ta mbajtur veten pozitive dhe produktive?

Jaho: Jam përpjekur që të mbaj ritmin tim të zakonshëm, ushtrimet që më mbajnë në formë dhe është një përbërës kryesor për teknikën time të këndimit. Gjithashtu, jam duke studiuar, lexuar dhe mbi të gjitha duke kaluar kohë me familjen dhe duke qenë më e balancuar.

– Çfarë mendoni se është ndikimi më i madh i COVID-19 në botën e operës? Cilat janë disa nga zhvillimet e reja që e ndjeni se do të qëndrojnë?

Jaho: Mendoj se ndikimi më i madh do të jetë që të kuptojmë se ky profesion është jashtëzakonisht i cenueshëm. Shpresoj që publiku do ta kuptojë tani çfarë sakrificash kërkon nga të gjithë artistët që të jenë në skenë dhe të nxjerrin jetesën nga arti i tyre. Zhvillimi i ri do të jetë transmetimi online siç e kemi parë. Ani pse asgjë nuk e zëvendëson emocionin e pastër të të qenët afër artistëve gjatë performancave dhe energjinë që e ata e marrin nga publiku e që transmetohet edhe tek interpretuesit, ne do t’ia arrijmë të gjejmë një mënyrë për ta pasur artin tonë. Pas disa javësh duke jetuar, ngrënë dhe duke fjetur ne e kuptojmë që kemi nevojë për shumë më tepër për të përmbushur jetën, dhe arti është një pjesë shumë e madhe e kësaj.