Ernesto Sabato: Dhimbja copëton kohën

(Fragment nga libri “Përpara fundit)

Marr plot letra djelmoshash të cilët ndihen në buzë të greminës, jo vetëm nga vendi ynë por nga gjithë bota. Si ajo e një adoleshenti që kishte lexuar romanet e mi dhe më shkruante nga një qytet i Francës. Ai në një letër të shkruar me dorë më fliste për Rimbaud, me një dëshpërim të madh. U tmerrova, sepse parandjeva se mund të arrinte në vetëvrasje, duke ditur se kjo është një dramë universale. Më flasin për trishtimet e tyre, për dëshirën për të vdekur, gjithashtu më tregojnë se si kapen pas Martinit dhe Hortensia Paz, sepse te këta gjejnë ndihmën për t’i rezistuar kësaj jete mizore dhe të pamëshirshme.
Gjithnjë më kanë preokupuar këta të rinj sytë e të cilëve i janë kushtuar bukurisë, por gjithashtu fatkeqësisë, sepse kush është më shumë fatzi se një kërkimtar i etur për të pakufishmen?
Në rininë time, në disa raste kam dashur të vras veten, por më ka shpëtuar mendimi se sa vuajtje do t’u shkaktoja gjithë atyre që do të trishtoheshin për vdekjen time. Gjithmonë është dikush për të cilin mungesa jonë do të ishte e pazëvendësueshme: një nënë, një baba, një vëlla; çdo qenie sado i largët qoftë ajo. Një mik i dashur; mjafton edhe një qen.
Diego Kuratela, i cili këto vitet e fundit punon me mua, më kujton atë që thotë Kamy: «Ka veç një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të gjykosh nëse jeta ia vlen apo jo për ta jetuar, do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë». Dhe në çastet kur vras mendjen për jetën, për këtë fund enigmatik, kur tashmë nuk kam më forca për të shkruar, kur çdo gjë më duket absurde dhe e kotë, edhe ky libër, sidomos ky libër, ç’kurajë mund t’u japë unë atyre që janë në dëshpërim e më kërkojnë ndihmë? Diegoja më lexon mendimtarë të mëdhenj ose më kujton vargje që i kam harruar; me formacionin e tij filozofik më ka bindur se duhet ta mbaroj së shkruari këtë libër, sidomos për të rinjtë, të cilët, të rënë në mosbesim, sot më shumë se kurrë kanë nevojë për shkrimtarët e tyre. Ai më kujtoi atë që thotë personazhi im Brunoja në një nga romanet e mi: «Cilado histori shpresash dhe fatkeqësish e një njeriu të vetëm, e një djaloshi të thjeshtë e të panjohur, mund të përfshijë tërë njerëzimin. Të shkruash për disa adoleshentë, për qeniet që vuajnë më shumë në këtë botë të pamëshirshme, ata që meritojnë më shumë, e të përshkruash njëherazi dramën e tyre dhe kuptimin e vuajtjeve të tyre».
Dhe atëherë, vazhdoj këtë dëshmi, apo epilog, ose testament shpirtëror, sido që ta emërtojnë, dedikuar atyre djemve dhe vajzave të çorientuar, që afrohen, herë të druajtur e herë si ata që kërkojnë një dërrasë shpëtimi në det, pasi u është mbytur anija. Sepse besoj se e vetmja gjë që mund t’u ofroj është: ca mbetje të thjeshta druri.

Përktheu: Bajram Karabolli

LEXO EDHE: Ernesto Sabato: Djalosh i dashur dhe i largët