Ervin Hatibi: Prania e gruas

ervin hatibi

Që në varg të parë mungon si përmendje
Kurse prania fillonte t’i ndihej
Gjithnjë e më fort, si ndihet pas perdes në një dhomë
Përherë më të huaj-prania e gruas
Për herë të parë e takon
Dhoma fryhet kraharor
Me mungesën e gruas
Të vishet ka shkuar, të zhvishet, kush po di më
Pritja humb kahe në mes të pranisë
E di veç se këtej perdes dhoma po mbushet gjithë
Lundërthyerje, në kuptimin më të mirë
Që lë më pas kjo skenë në kujtesë
Në dy të mbijetuar, ndarë me perde
Njerí veç njëri qe, tjetri s’u përmend
Ende, as në vargun e katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë
Praní vetëm ndihej
Më shumë se prani, përfshirje
Si në ëndrra, gjithë ditën, nga koka drejt gjoksit ti botë distilon
Pa e ditur
Vjen nata, orë e rërës përmbyset prej gjoksit në kokë
Përmes fytit rërën e yjësive pikon
Të të formojë me kafshë e heronj, të t’i zhvendosë butë, errët brenda
Kupton se kjo ëndërr s’mund të qe jotja
Hap gojën të quash kë t’ëndërron-mbytet ëndrra
Pa rëndësi emri që desh shqiptove
Fjalët vonojnë , asgjë s’e përmbledh në fjalor
Sidomos
Praninë që ndjek dhe kur përzihesh prej saj
Si faj, si një fletë-gjobë në xhamin e pasmë, përndjek
Çdo fjalë shkruar buzë saj
Për të flet
Rrëzë një shkëmbi në kthesë
Gur i rrahur me dafinë e diell
Hajku, jo gjobë shkruan polici rrugor
Buzë një parkimi që imiton saktë
Një aksident veror
Makina braktisur, shoferi ka zbritur
Ta prekë me dorë që ta besojë
E dora i bëhet direkt horizont, xhami përpara
Zbrazet nga jugu, dikur dhe xhami pas
Mbetet veç shkrimi policor ta dëshmojë fort
Praninë, me fjalë që mungojnë
Edhe në vargun e tetëmbëdhjetë e poshtë, gjer në fund
Fjalë shkruar keq, veç letra u jep pak vlerë
Një gjobë që do paguar tash thellë në qytet, kokekëmbë
Mbështjellë xham e asfalt
Kozmonaut, ti e di tashmë që këtu s’përket
Tashmë që e ke parë
Si mbështillej në vështrim rreth teje
Si të bënte më në fund qenie, të denjë
Për përjetësinë marramendëse
Si bëhej aromë zhurma e tij, duhmë aromash therëse
Si të ta nxirrte prej kraharori një trëndafil, thellë
Me vështirësi
Me gjithë gjemba, e brenda, therës, gjak blu buit
E një klithmë të meket në gjumë
Derisa jashtë teje trëndafili të çelë, botën krejt deh
E emri i tij asgjë nuk përmend
Gruaja nga pas perdes po vonon, dot nuk del
Një veshje të vyer që më kot kërkuaka
Shtrënguar, në grusht, pas shpine ti fsheh, i mjerë
Trofé
E fort e nuhat, sa hundët i përflak
E më fort e shtrëngon, sa grushtin ta përgjakë
Blu, thua shtrëngoje mprehtë një guaskë.

*Titulli i origjinalit: “(23.07.2018)

ObserverKult

——————————————————————–

ervin hatibi

Lexo edhe:

ERVIN HATIBI: TRANSKRIPT NGA KREVATI TJETËR

Poezi nga Ervin Hatibi

Ku do ta varrosin gjifë k’të popull në Tiranë?
S’mbet’ vend në Tufinë më, as në Sharrë
Rrugëve do na lënë, qentë do na hanë
Qentë e mëvenj, qentë e vegjël

Në det mor’do na hevin
Të na hanë peshqit
Peshqit e mëvenj, peshqit e vegjël
Fokat
Ato me vëmbë të mëvenj
(Nxjerr dy gishta nën nofull)

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult