Ervin Hysaj: Ndoshta një ditë, pas vitesh…


Ndoshta një ditë, pas vitesh që do treten,
Dëborë kur të ketë rënë mbi flokun tim të zi,
Ky fat i çmendur që s’ngopet me asgjë,
Në trajtën e një brenge do më përplas’ tek ti.

Ndërmend do sjell gjithë kohën që ka ikur,
Imazhet do të rrjedhin kujtesës si ujvarë,
Pastaj i përmalluar në sytë e tu të ndritur,
Veç mall do ndjej për dashurinë e parë.

Ti do t’më shohësh me sytë e tu plot halle,
Pa më urryer, veç ndoshta mall do ndjesh,
Unë zemrën do ta hap për të thënë ca fjalë,
Ca fjalë që dikur t’i kam thënë aq shpesh.

Diçka do të t’kujtoj dhe thellë krahërorit,
Një ngërc do më trazojë teksa të shoh në sy.
Por ti do t’buzëqeshësh si qielli i shtatorit,
Me nurin tënd të hershëm, të mbetur po aty.