Tani dhe ne andej po shkojmë pak e nga pak,
në atë vend ku mbretëron heshtj’ e bekuar.
Ndoshta dhe unë, rraqet e mia ca nga ca,
duhet t’ i mbledh e të gatitem për të shkuar.
Pyje të miat, madhështorë, plot me berioza!
Ti, rërë e stepës së pafund! Ti, toka ime!
Përballë k’ saj mrekullie që po shkon e do ta lë,
si mund ta fsheh dhimbjen që vjen me ngashërime?!
Oh, sa shumë, sa shumë q’ i desha në k’ të botë,
gjallesat që në shpirtin tim u mblodhën sonte,
paqen mbi lisat që me degë të shtrira mbi lëndinë,
harrohen me vështrimin tretur larg në horizonte.
Mes qetësisë mijëra mendime kam sajuar,
me mijëra këngë për veten shkrova. Edhe ndaj,
ndihem i lumtur që frymë thitha e kam jetuar
mbi tokën e egërsuar, në kohra të trazuara plot vaj.
I lumtur jam pse putha gra pafund,
përtypa lule e mbi bar të njomë u rrokullisa,
dhe kafshët, si fëmijtë e vegjël me plot mund,
i përkëdhela, u dhashë gëzim, kurrë s’ i degdisa.
E di se atje ku shkoj nuk jeshilojnë ograjat,
dhe thekra nëpër ara s’ ka, që dallgëzojnë,
përballë k’ saj mrekullie që po shkon e do ta lë,
mornicat akullnajë si drizat më qarkojnë.
E di që n’ atë vend s’ mund t’ u gëzohem,
këtyre fushave që ndritin posi ar në mugëtirë,
ndaj përqafoj me afsh njerëzit dhe ngazëllehem,
përse jetojmë tërë bashkë në këtë botë… Sa mirë!…
Shqipëroi: Arqile Garo