Është marrëzi të mos kesh shpresë! Është mëkat…

heminguej mëkat

Në qoftë se e deshe, do të thotë se nuk bëre mëkat që e vrave?

———————-

Plaku dhe deti i Heminguejt është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë. Për Heminguejin njeriu, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar. Më mirë të kthehesh i mundur pasi e ke provuar ndeshjen, pasi e ke treguar se e ke guximin ta bësh, sesa të dështosh pa e bërë provën.

mëkat hemingway

Aty shtrohen edhe dilema të mëdha, si ajo se çfarë konsiderohet mëkat dhe për çfarë mund të ndjehet njeriu mëkatar.
Ju ftojmë të lexoni fragmentin në vazhdim:

Është marrëzi të mos kesh shpresë, mendoi. Veç kësaj, besoj se kjo është mëkat. Mos mendo për mëkatin, tha me vete. Tani ke telashe të tjera përveç mëkatit. Nga mëkatet nuk kuptoj shumë.
Unë nuk i kuptoj mëkatet dhe s’ma merr mendja që besoj në to. Ndoshta bëra mëkat që vrava peshkun. Besoj se mëkat është, megjithëse e vrava që të nxjerr bukën dhe që të ushqehen me të shumë njerëz. Por në fund të fundit, çdo gjë që bën është mëkat.
Mos mendo për mëkatet. Është shumë vonë për këtë gjë dhe ka plot njerëz që paguhen për t’u marrë me mëkatet. Le të mendojnë ata për to. Ti ke lindur që të jesh peshkatar, ashtu si dhe peshku ka lindur që të jetë peshk. Shën Pjetri qe peshkatar, ashtu si dhe babai i Di Maxhios së  madh.
Por i pëlqente të mendonte për të gjitha gjërat që kish rreth e rrotull, dhe gjersa nuk kish asgjë për të lexuar dhe nuk kish radio, mendohej shumë, dhe tani vazhdonte të vriste mendjen për mëkatin. Ti nuk e vrave peshkun vetëm që të mos vdesësh urie dhe që ta shesësh për të nxjerrë bukën mendoi. E vrave atë nga krenaria dhe sepse je peshkatar. Ti e deshe peshkun sa ishte gjallë dhe e do ende edhe tani që vdiq. Në qoftë se e deshe, do të thotë se nuk bëre mëkat që e vrave.
Apo ndoshta mëkati është më i madh?

*fragmenti është shkëputur nga Ernest Hemingway, Plaku dhe deti, Onufri, 2002, përktheu Ismail Kadare

Përgatiti: T.K/ ObserverKult

Kliko edhe:

HEMINGWAY: SHUMICA E NJERËZVE S’DINË Ç’ËSHTË DASHURIA, SE S’KANË FATIN TA PROVOJNË