Kur isha me të, isha i lumtur, isha i bukur…

lumtur platoni trishtim respekt Jorgo...


Kam qenë tjetërsoj para dukjes së sotme. E pas ca kohësh, po qe e thënë, mbase do ketë mbetur diçka nga kjo e sotmja. Kur isha me atë, isha i lumtur.

Esmeralda Shpata


Nga Esmeralda Shpata


Shtatë vjet me radhë isha i bukur. Qe zbulim ngadhënjimtar, ajo erdhi kur isha lëmsh . U shllizëm të dy në çartje e zbulime, që për besë njeriu i do, por as i gjen e as i shpreh dot. Nuk mbeti qoshe në zemer e skutë në tru pa e kthyer përmbys. Ajo më çudiste me vrullin e saj, sikur donte t’i bënte të gjitha, sikur nxitonte për të ikur. Dhe me veten habitesha. Rrekesha t’i bëja të tëra, shmangia pa mëshirë ato që më ishin kthyer në një çështje nderi.
Më kujtohet një ditë, kur po vinte drejt meje. Ajo ditë. I jepte biçikletës. Kishte veshur një fustan me lule të kuqe. Nuk e humbi entuziazmin, m’u afrua e më preku në sy të të gjithëve, pa e humbur zakonin e të puthurit.
Gjithmonë pata menduar se shokëve të mi u shkonte rrjedhja e viteve.Vështrimet e tyre nuk iu shqitën tokës sa kaluam ne. Atëherë pata menduar se ai që ka një mundësi, di gjithmonë të bëjë diçka me të.
Ç’budallallëk!

Dhe sot drithërohem kur e mendoj. Më doli zemra vendit nga kutërbimi i huaj mbi fustanin e saj. E kuptoi fill gjëmēn time, ia rrokullisi portretin e zhveshur vetes. Më qeshi në fytyrë. Nuk më shqitet nga mendja, trupi i gruas dhe biçikletës, si vetëtimë ikën të dyja e u futën në mirazh. Ikën.


Netët dhe krizat e tërbimit aty nga java e tretë sikur po zbuteshin. Në fund të fundit mësohesh me të tëra. Një shkëlqim i blertë m’u qep dhe sikur, po e ndieja veten më mirë asaj vjeshte të parë.
E kam ndarë jetën time me sezone. Pas gjithë atyre sorollatjeve ja ku më keni sot. Më ka përpirë koha e i jam përshtatur pa e ndier veten ligsht. Mendimet i largon po të duash. Tani iu gëzohem rrymave të freskëta të ajrit, motit me diell. M’u desh kohë për ta kuptuar, pa kam këtë dukje. Kushedi në do kem fat të kqyrem nga dikush tjetër, qoftë dhe me fustan njëngjyrësh. Do e ruaj veten pa u anuar. E kam vëzhguar me kujdes, kam kohë që e bëj. E në qoftë se e shoh prapë të pikëlluar e të humbur, do t’ia përshesh turinjtë pa turp e pa drojë.

ObserverKult

Lexo edhe:

DOMETHËNË, E VENDOSE MË NË FUND QË DO TË JESH E LUMTUR

NË KOHËN TONË NUK EKZISTONIN CELULARËT, POR ISHIM TË LUMTUR…