Si mund t’i harroj duart e tua? Aromën e trupit tënd? Si?

grua dashuria

Nga Luan Rama

Sapo kishin dalë nga spitali një erë e fortë filloi të frynte. Pemët shkundnin gjethet e tyre të fundit. Po ktheheshin në shtëpi. Njerëzit nxitonin dhe qielli larg gjëmonte. Si dukej një furtunë afrohej. Megjithatë ata të dy ecnin ngadalë, pa folur, në heshtjen e tyre dhe një dhimbje që u fshihej në fytyra.

– Kam frikë! – tha ajo.

Ai e afroi nga vetja duke i pëshpëritur:

– Megjithatë duhet… Duhet ta bësh për ty, për mua, për ne të dy.

Ajo ecte me vështrimin e humbur duke vështruar përpara, sikur të kishte një lloj boshllëku të madh, si të ishte në lartësitë qiellore ku hapej një hapësirë e pamatë me një dritë të bardhë, gati verbuese. Përse vallë ky imazh, pyeti veten ajo. Pastaj papritur, pyeti pa e vështruar:

– Si tha doktori? Kur kanë vendosur?
– Në fund të muajit, – dhe ai u përkul dhe e puthi sërish.

Një çast ajo ndaloi duke hezituar:

– Ku po shkojmë kështu?
– Në shtëpi!
– Ah! – u habit ajo, duke vazhduar me të njëjtin ritëm.

Ai u step një çast dhe vështroi sytë e saj duke pikasur atë lloj zbrazëtie, çka gjithnjë e më shumë po e pikaste në fytyrën e saj. E habitshme, mendoi. Dhe sytë e kanë humbur shkëlqimin e tyre të mëparshëm. Vallë dhe sytë kanë të bëjnë me kujtesën?

Lora kishte disa muaj që po vuante nga humbja e kujtesës. Në fillim harronte derën hapur, apo diçka në zjarr, emrin e dikujt që kishte takuar dy ditë më parë apo se ku duhej të shkonte. Muaj më vonë kujtesa vazhdonte t’i humbiste gjithnjë e më shumë. Harronte se për ku ishte nisur dhe i duhej të shënonte diçka më parë që mos ta harronte. Shpesh përpiqej të kujtonte diçka dhe kjo përpjekje e bënte nervoze. “Ç’po ndodh kështu me mua?” – filloi të mendonte. Një ditë kishte qarë. Parandjente se diçka e keqe e kërcënonte. Për më tepër pas tre javësh do të fillonte punë si teknike në një ndërmarrje elektronike dhe kjo gjendje e shqetësonte shumë.

– Të gjithë harrojmë, – i thoshte Sandi shpesh dhe qeshte me të. Por më pas ai nuk vazhdoi të qeshte më. Kjo gjë nisi ta trishtonte por nuk e tregonte veten para syve të saj. Si vallë mund të shuhen fjalët, imazhet. Gjatë pesë vjetëve që ishin bashkë Lora kishte qenë ajo vajza inteligjente e me humor që kishte njohur që ditën e parë. Nga ajo vajza e shkathët dhe që pikaste ndër shoqet e saj, tani kishte filluar të tërhiqej, të mbyllej. Çfarë mbetej tashmë në kujtesën e saj, medonte ai.
Ndodhte që i fliste për ngjarje të përjetuara bashkë por ajo e kishte vështirë t’i rikujtonte se si dhe ku kishte ndodhur. Dhe atij i dukej se bota e saj zhytej gjithnjë e më shumë në një brymë të dendur, sikur ecte në një mjegull drejt një horizonti pa kufij. Vallë a do të ndodhte një ditë që ajo ta pyeste se “Cili je ti”… “Ku është Sandi, kur do të vijë?”… Ai kishte filluar të lexonte shumë rreth humbjes së kujtesës. Vallë alzajmer apo tumor? Në fakt ajo nuk kishte moshë për alzajmer, por çfarë të ishte? Një meningiomë, gliomë, limfomë? Migrenat e forta e kishin lodhur dhe kishin fshirë buzëqeshjen nga fytyra e saj.

Që në vizitën e parë, doktori u rekomandoi të bënte një radiografi të kokës. “Thjesht për t’u siguruar” u kishte thënë ai. Por me të marrë grafitë e para, analizat, ata konstatuan se një njollë shquhej në anën e pasme të kokës. Ç’të ishte vallë? Më pas doktori e këshilloi një mikun e tij, një neurokirurg që para dhjetë vjetësh ishte specializuar në Francë. Përsëri radiografi dhe analiza të tjera.

– Vallë dyshoni për diçka të keqe doktor? – e kishte pyetur Sandi, duke vështruar fytyrën e tij të menduar.
– Është diçka që ka prekur një pjesë të trurit, – i tha ai.
– Kancer?
– S’mund ta them… ndoshta një infeksion apo një masë e huaj që shtyp pjesën e trurit, pikërisht aty ku ndodhet pjesa e kujtesës. Mendoj se duhet të bëjmë një skaner tjetër dhe nëse do duhet, të ndërhyjmë menjëherë. Koha nuk pret.

Pas kësaj konsulte dhe skanerit të dytë vendimi u muar me shpejtësi. Duhej operuar në fund të muajit. Tani prisnin fjalën e Lorës. Vallë a do ishte dakort t’i bënin një kraniotomi, apo më saktë, t’i hapnin kafkën?

Një ide e tillë e bënte Sandin të drithërohej. Imagjinonte sallën e operacionit, kokën e rruar të saj dhe bisturinë që çante kafkën. O Zot! – mendoi ai. Një imazh që i shfaqej natën, në mes të gjumit dhe që e bënte të rrinte zgjuar deri në agim.

Tani po ktheheshin nga vizita dhe tutje dekoratorët e qytetit po zbukuronin vitrinat. Të tjerë në një shesh, po vendosnin një pishë të madhe dhe të zbukuruar. Krishtlindjet afronin dhe kjo ndihej në gjithë qytetin. Por dritat e ndezura dhe reklamat nuk i ngacmonin sytë e saj. Ishte diku gjetkë. Ku vallë?

Sapo i afroheshin pallatit kur rrebesh filloi. Donte të nxitonte, por Lora ecte ngadalë e përhumbur në botën e saj. Ai e tërhoqi:

– Eja shpejt se u bëre qull.

Ajo ktheu kokën dhe qeshi. Ndoshta i pëlqente që po lagej e që flokët tashmë kullonin nga uji, i cili po depërtonte brenda trupit të saj duke rrëshqitur nëpër gjinj dhe i lagur barkun, çka dukej se i jepte një ndjesi të veçantë. Ndjehej mirë. Ndoshta shiu e largonte nga ajo ndjesi ankthi që e kishte pushtuar në spital. Po, ishte një ndjesi çlirimi.

Po binte muzgu. Nga dritarja e dhomës Sandi vështroi rrebeshin dhe shiun që trokiste fort mbi xhamat e dritares. Në televizor, lajmet e ditës ku gjithnjë e më shumë kishte debate nga analistë të mërzitshëm, propagandistë të zellshëm të partive politike dhe të pushtetit, e bënin disi absurde gjithçka. Sandi preferoi ta mbyllë dhe vuri një disk me muzikë të Hendel. Menjëherë nxitoi të merrte një shishe verë, vuri në tavolinë pak djathë dhe sallam dhe i zgjati Lorës gotën e verës. Ajo e ktheu, mori pak djathë dhe pëshpëriti:

– Sonte s’paskam uri… – dhe mbylli sytë të dëgjonte atë adaggio të Hendel që e donte shumë.

Ai i afroi përsëri gotën. Ndoshta ngaqë donte ta largonte nga imazhet e spitalit. Ajo qeshi dhe ktheu gotën. Qielli gjëmonte akoma më shumë. Kur shkuan në dhomë Lora nisi të zhvishej. Hoqi xhaketën dhe pas saj këmishën e lagur. Po kështu dhe sytjenat. Sandi vështroi një çast trupin e saj dhe gjinjtë e lëshuar. Papritur iu kujtua skena e një jave më parë kur gjithashtu binte shi dhe veshur me këmishën e natës ajo kishte dalë në ballkon dhe ku era e fuste shiun brenda. Fytyra e saj kishte po atë kënaqësi, duke tretur vështrimin tutje në horizontin e një qielli të zymtë. Ishte natë dhe ai e kishte tërhequr ngadalë duke e futur brenda dhe duke u shtrirë në shtrat.

– Kur do të kthehemi? – i kishte thënë papritur ajo.
– Ku?
– Në shtëpi. Pushimet mbaruan.

Ai ishte stepur dhe e kishte vështruar gjatë.

– Jemi kthyer e dashur. Kjo është shtëpia jonë.

Ajo kishte ngritur paksa kokën duke vështruar përreth. Vështroi tablonë në mur, perdet që kishin blerë kur hynë në shtëpinë e re, komodinën, fotografinë e tyre tek vështronin njëri-tjetrin. E kuptoi. Po, ishin në shtëpi, në dhomën e tyre. Ai e afroi dhe e mori në krahë duke e shtrënguar.

– Kam frikë se mos të harroj! – pëshpëriti ajo pas një heshtje të gjatë duke e vështruar drejt e në sy.
– Si mundet?
– Mbase një ditë, nuk i dihet. Oh, sa frikë!
– Jo, shpirti im, unë s’do të lë të më harrosh.

Ajo qeshi trishtë.

– Shpesh më duket se jam diku tjetër, dikush tjetër… Cila jam? Ç’bëj aty? Ku është Sandi? – them me vete. Ku?

Ai u përkul mbi të duke i puthur sytë. Donte ta gëzonte.

– Puthmë i dashur. Kur ti më puth, e di se je ti dhe vetëm ti. Veç kështu nuk të harroj… Dje po lexoja një revistë mjeksore se kujtesa e prekjes është më e qëndrueshmja, e fundit që mund të humbasë njeriu apo që s’mund ta humbasë kurrë. Dua të të gëzoj ende.

Ai i afroi buzët dhe e puthi. Një dëshirë e çuditshme e kapi ta puthte akoma më shumë. Ndjeu buzët e saj të lagështa dhe atë gojë të lëngëzuar që gjithnjë e çonte në ekstazë.

Ajo rënkonte, pëshpëriste, nanuriste, gëzonte.

– Mi jep duart, – tha lehtë ajo.

Dhe kështu i mori duart dhe i vuri mbi gjinjtë e saj.

– Prekmi i dashur… puthmi. Si mund t’i harroj duart e tua? Aromën e trupit tënd? Si?

Lora ndjehej e lumtur. Po e harronte harresën e saj. Donte të bënin dashuri.

– Sandi, bëmë të lumtur!

Ai nisi ta zhveshë dhe t’i heqë këmishën, sytjenat, mbathjet… Qëndroi një çast mbi të dhe vështronte hiret e saj, atë trup delikat me atë lëkurë të butë dhe forma tepër sensuale.

– Ti gjithnjë më bën të lumtur, – shtoi ajo. – Si mund ta harroj këtë dashuri? Më thuaj pak…
– Çfarë?
– Ku u njohëm për herë të parë, në ç’vend? Ishte verë, dimër apo…?
– Ishte qershor. Sapo ishim kthyer nga plazhi. Ishim në një shfaqje teatri: ti, Zana, Ela unë dhe Nardi. Më kujtohet që ti qeshje shumë.
– Vetëm qeshja?
– Po, vetëm qeshje dhe shikoje nga unë. E kuptova menjëherë që kishe dëshirë të ishe me mua. Pastaj, dy ditë më vonë u takuam në bibliotekë. Aty filloi historia jonë. Kishe një libër në dorë mbi origjinën e botës.
– Ashtu? E habitshme: Origjina e botës, njeriu, dashuria…?!

Ajo u ngrit dhe ashtu lakuriq u ul mbi kofshët e tij. E vështroi gjatë me një ndjesi dëshire, malli. Pastaj njëra dorë i rrëshkiti mbi shpatullën e tij. Nisi ta përkëdhelë, të mërmërisë diçka, një melodi. Dukej si e dehur. Pastaj dora ndaloi në ijen e tij. Ishte plaga e vjetër e Sandit.

– Si mund të të harroj? Si mund ta harroj plagën tënde? – pëshpëriti ajo dhe i kujtoi kohën kur i ri, hipur në një biçikletë, një motorr e kishte përplasur në trotuar.
– Kisha kohë pa e kujtuar! – shtoi ai.
– Jo, unë s’mund ta harroj, pasi e kam prekur dhe puthur qindra e qindra herë si të ishte në trupin tim… A nuk të duket se me kohë trupat tanë ngjasojnë gjithnjë e më shumë.

Ai qeshi dhe duart e saj zbritën drejt barkut.

– Atë vit, për herë të parë shkuam së bashku me pushime.

Ajo mbylli sytë. Nën dritën e zbehtë të abazhurit, Sandi e vështronte si të shihte profilin e një figure biblike apo një madonë të Renesansës. Kontrasti i dritës me errësirën dhe ngjyra okër i jepnin atij portreti diçka misterioze e mistike njëkohësisht. Shikonte sytë e saj të mbyllur, gjinjtë e saj të fryrë dhe menjëherë i shkoi mendja tek një pikturë e Karavaxhios.

– Jemi në breg të detit, – pëshpërit ajo me sytë e mbyllura.

Vetëm këto pak fjalë e kthyen në vitin e parë të dashurisë.

– Ka fllad, – shtoi ai, duke kujtuar atë ditë të bukur.
– Dhe muzgu bie…
– Një gjysmë hëne shfaqet.
– Pastaj yjet…
– Mbylli sytë më thua ti.
– Dhe unë të puth symbyllur.
– Ndërsa unë prek gjoksin tënd….

Lora qëndroi një çast të gjatë pa folur. “Kushedi ç’mendon?” i tha vetes ai. Në murin sipër krevatit ishte fotografia e saj e madhe dalë në një fushë gruri. Ajo është ulur, dhe vetëm një pjesë e gjinjve, supet e zhveshur dhe fytyra i dukeshin në atë grunajë në ngjyrë okër. Ishte kohë e korrjeve. Një ide e çuditshme dhe e çastit që Sandin e kishte ngacmuar atë ditë. “Futu në mes të grurit”, – i kishte thënë ai.

Ajo hapi sytë dhe e pikasi vështrimin e tij. Sandi ktheu kokën nga fotografia.

– Ku jemi këtu, ku ishte kjo fushë gruri? – tha ajo.
– Pa hyrë në Durrës. Të kujtohet? Kisha qef të të fotografoja. Ishim vetëm, mesditë. Ti nuk doje ta hiqje këmishën dhe sytjenat por unë ngulmova. Dhe ti i hoqe… qeshje.
– Më risolle aromën e asaj dite. Për një kohë të gjatë më vinte era e grurit, bukës, tokës.

Ai heshti një çast dhe vështroi sytë e në sytë e saj të qeshur, sy të dëshirës. Ajo u afrua dhe pështeti gjinjtë në gjoksin e tij. I preku seksin dhe nisi ta puthë gjithë afsh duke u ngritur disi dhe duke ndjerë qenien e tij që i depërtonte brenda vetes. Lëvizte, lëkundej, endej mbi atë trup që e bënte të lumtur në një ngazëllim e dehje të pafund. Pastaj ndaloi dhe e vështroi nje çast të gjatë. Një pikë loti i ra mbi fytyrën e tij.

– Çfarë ke Lora?
– S’kam gjë… jo, jam e lumtur.

Dhe ajo nisi të lëvizte me vrull mbi të, me frymëmarrjen që i shpeshtohej, me nxehtësinë që i përvëlonte gjithë trupin gjersa më së fundi lëshoi ngulçimat e orgazmës së saj duke u shëmbur mbi gjoksin e tij. Pastaj heshti. Ai ndjeu zemrën e saj tek rrihte mbi gjoksin e tij. E vështroi. E qeshura i kishte mbetur në fytyrë. Dukej vërtet e lumtur. Prehej në lumturinë e saj të shpirtit dhe të trupit. Po flinte. Ai e puthi, pëshpëriti diçka të pakuptueshme dhe u ngrit të ndezë një cigare duke iu afruar dritares.

Tashmë rrebeshi kishte pushuar. Çudi, mendoi duke parë një pjesë të qiellit ku shndriste një hënë e bukur dhe tutje një tufë yjesh. Mendonte. Kjo mbrëmje i jepte shpresë. Shpresonte në operacionin që nuk duhej ta refuzonin edhe pse ishte i tepër i vështirë. Duhej tentuar gjithçka. Po, kishte shpresë. Për më tepër shpresonte në atë që ishte thelbësore: gjithçka që kishte të bënte me dashurinë e tyre nuk ishte harruar. E çuditshme, – pëshpëriti me vete.

Vërtetë, dashuria kishte në vetvete diçka magjike që arrinte ta mposhte harresën. Dhe atëherë mendoi se do duhej ta kthente Lorën në vendet e tyre të dashurisë, në itineraret e tyre, klubet, lulishtet, në pragun e kantjerit ku punonte, në shtëpinë e vjetër të prindërve, në strehën e vjetër buzë lumit e ku në sfond ngrihej mali i lartë, jo larg qytetit. Një itinerar që asnjëherë nuk kishte menduar se do t’i duhej të kthehej.
Por tashmë duhej. Duhej që të mbante gjallë atë lloj zjarri që kishte nevojë për frymë. Po, mendoi ai, vetëm dashuria mund ta mbajë gjallë kujtesën. Dashuria ka diçka mistike dhe të fuqishme që arrin të ngrihet mbi natyrën. Është forca e shpirtit dhe bota njerëzore e ka treguar këtë, dashuritë e mëdha e kanë treguar këtë. Ndërkohë çuditërisht mendoi për bredhjet e gjata dhe udhëtimet haluçinante të poetit Rilke për të gjetur të dashurën e tij Lu Salomé mijëra kilometra larg, diku në një izbë të humbur. Ata që i besojnë kësaj force, kësaj lloj dashurie, mendoi ai, arrijnë t’i kapërcejnë barrierat, kufijtë.
Dhe ndërkohë kujtoi fjalët e Lorës që kujtesa e prekjes, aroma e një trupi të dashur ishin të fundit që humbte njeriu. Këto fjalë e rrënqethën. Megjithatë ai e ndjeu se ajo nuk do ta harronte asnjëherë praninë e tij, duart, trupin e tij, atë ngjizje që dy të dashuruar kanë me njëri-tjetrin. Vetëm përmes dashurisë, Lora do të më ndjejë pranë, mendoi. Ajo do ta dijë se jam unë, se janë sytë e mi, ata sy që ka dashur gjithnjë dhe me aq forcë. Do t’i njohë, që të mos mund të bjerë në një botë tjetër, anonime, pa ngjyrë, në botën e boshllëkut.

Ndërkohë ktheu kokën dhe vështroi nga shtrati. Ajo flinte. U afrua disi dhe ndjeu frymën e saj. Ngriti çarçafin dhe e mbuloi. Nuk kishte gjumë. Në majë të gishtave u tërhoq drejt sallonit dhe u ul në kolltuk. Mori një gotë rakie dhe e vuri përpara. Tutje, në mur fotografia e dasmës së tyre katër vjet më parë. Ishte natë e vonë. Tutje dritares tashmë gjithë qielli ishte hapur duke shfaqur kubenë e saj të magjishme, plot yje.

Në prag të agut Lora zgjati dorën të prekte trupin e tij, si zakonisht, çka e bënte shpesh kohët e fundit sikur të kishte frikë mos e humbiste. Por shtrati ishte bosh. U hutua një çast dhe vështroi rreth dhomës. Një heshtje e madhe mbizotëronte ngado. U ngrit dhe duke parë dritën që vinte nga salloni e kuptoi menjëherë se Sandi duhej të ishte në sallon. Kur hyri, pa menjëherë që po flinte mbi kolltuk.

“Ndoshta ëndërron”, – mendoi ajo dhe iu afrua në majë të gishtave. Ndjeu frymën e tij. Tashmë sytë e saj kishin tjetër dritë… /fjala.al

*Titulli i origjinalit: “Vetëm dashuri…”

ObserverKult


kënga Luan Rama: e dashuruar

Lexo edhe:

LUAN RAMA: MË PUTHI SI E ÇMENDUR…

Letra që nuk erdhi kurrë, poezi nga Luan Rama

Më puthi si e çmendur
duke më kafshuar ëmbël buzët dhe shpirtin,
duke më mbyllur sytë me gojën e saj
me një frymë ëngjëlli,
«Do të shkruaj shpejt më tha» dhe iku,
me krahë ere,
dhe unë e prita duke vrarë vetminë,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult