“Eurodram” hap dyer për ndërkombëtarizimin e tri dramave shqipe

Tri drama shqipe janë përzgjedhur në mesin e gjashtëdhjetë sosh për t’u bërë pjesë e repertorit të teksteve dramaturgjike në shumë gjuhë. Rrjeti evropian për dramat e përkthyera – “Eurodram” – ka bërë të ditur përzgjedhjen e dramave për vitin 2020 si “të rekomandueshme për përkthim”.

Sipas njoftimit të afishuar në faqen “eurodram.org”, “ato janë përzgjedhur nga 290 anëtarë të 29 komiteteve të gjuhëve, nga 841 drama origjinale sa janë pranuar më 2019”.

Kështu, “Veriu” nga Agush Mulliqi, “Paladuku” nga Albana Muja dhe “Aliu në makth” nga Erjus Mezini, janë tri dramat shqipe që kanë hyrë në rrethin prej 60 dramave që do të përkthehen në gjuhët e këtij rrjeti.

Kjo vjen pasi Komiteti Shqiptar i “Eurodramës”, i ngarkuar për përzgjedhjen e tri dramave më të mira shqipe, në dhjetor të vitit të kaluar ka shpallur thirrjen për vitin 2019-2020.

Sipas njoftimit, dramat jo domosdoshmërisht duhet të kenë qenë të inskenuara apo botuara më parë, me përjashtim të atyre teksteve që kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme të “Eurodram”.

Lirak Çelaj, anëtar i Komitetit Shqiptar në “Eurodram”, në një prononcim për KOHËN, ka bërë me dije se thirrjes së fundit i janë përgjigjur 11 autorë dhe 15 tekste nga të gjitha trevat shqiptare. Ka thënë se pret që numri i të interesuarve të jetë edhe më i madh gjatë viteve në vijim.

“Për fat të mirë, ka pasur mjaft tekste kualitative dhe vërtet ka qenë vështirë për t’u përcaktuar se cila është më e mirë se tjetra. Pra, ka qenë vendim shumë i vështirë, por besoj që është i merituar”, ka thënë Çelaj.