Eva Tafa: Më deshe shumë, shumë fort…

eva tafa:

Poezi nga Eva Tafa

Do të mësoj të bëhesh si unë më the:
Duhanpirëse, ta djegim shkrum të nxjerrim,
Të pijmë, të dehemi këmbët mos t’i lemë mbi tokë,
Të rrijmë natën zgjuar, të shohim yjet e t’i kapim,
Të ndjekim hënën,
Të kacafytemi deri në mëngjes,
Të mbytemi deri sa lëngjet të na thahen,
Dhe të çelemi bashkë me oksigjenin e marrëzisë.
Më deshe shumë, shumë fort
Aq sa kishe frikë të më dashuroje,
Mos u shtir se i di të gjitha,
Pranove dhimbjen që të therri shpirtin,
Sa sytë xixa të lëshonin.
Nuk prita për të bërë dashuri me ty,
Por rashë në dashuri dhe i bëra gjëmën vetes,
Nëse jam tani mbi lëkurën tënde,
Gjeta limanin e ëndrrës!
Ja ku më ke,
Përbri,
Përbaĺlë,
Nuk do të kyç asnjë çmenduri,
Me të gjitha turpet e trupit do të tallem,
Nuk iu fsheha botës,
As ti, madje në sy të botës,
Më këndoje,
Më gëzoje,
Me lumturinë!
Të mekur ngulëm thonjtë drejt aventurës,
Për ditët tona plot dallgë,
Për netët tona të rrezikshme!

ObserverKult

Lexo edhe:

EVA TAFA: TI MERR DIELL DHE HËNË PREJ MEJE

E di që do t’më tradhtosh,
Krahët më varen si flatra leljleku mbi paterica,
Këmbët, nuk më sjellin tek ti,
As të prek, …as të shoh, …as të flas,
Nuk mundem,
Bën mirë as mos t’më shohësh.
Mbamë mend… Si atëherë! …
Kur e gjitha isha betejë mbi shpirtin tënd
Kur isha e gjitha shpirt, mbi shpirtin tënd,
Kur mbi buzën tënde derdhesha si llavë vullkani,
Kur duart zgjatja litar, për një përqafim…,
Kur për ta lidhur puthjen tënde,
I bëja edhe flokët nyje! …
E di që do t’më tradhtosh,
Kur dallga të përplas në breg,
Dhe këmbët në tjetër femër të ngatërrohen,
Kur dielli të lëshohet mbi sy,
Dhe të pëlqen të jesh symbyllur,
Se ndezja yte është një qelizë shpërthyese….
E di që do t’më tradhtosh,
Tashmë as këmbadoras nuk vij dot,
Se fati deri këtu na deshi bashkë.
Mos e bëj të lutem!
Mos tradhto,
Asnjë vajzë…
Asnjë grua…
Asnjë femër nuk meriton me u dasht tinëzisht,
Ndaj dashuro, siç din ti me t’shti n’gji
Deri në asht…
Je shpirt i lirë i dashurisë,
Dashuro si dikur gjer në gushë…