“Exile”, me dramën psikologjike për përjashtimin social, edhe në Zürich

Nuk është vetëm një psikodramë kineaste, por edhe një studim i thellë mbi identitetin dhe përkatësinë në një kohë të pasigurisë së vazhdueshme në Evropë. Krejt kjo merr mprehtësi edhe më të madhe në dritën e krizës së refugjatëve. Ato që kishin filluar si frymëzime nga përjetime personale, tani regjisori Visar Morina po i universalizon kudo nëpër Evropë.

Mbrëmjen e së hënës, filmi i tij “Exile” ka pasur premierën e vet zvicerane në kuadër të edicionit të 16-të të “Zürich Film Festival” (ZFF).

Sipas faqes zyrtare të ZFF-së, filmi i zhanrit triler garon në kategorinë “Focus Competition”. Ai është vetëm një nga dymbëdhjetë filmat e rinj dhe ata dokumentarë që vijnë nga vendet gjermanishtfolëse si Zvicra, Gjermania dhe Austria.

“I linduri në Kosovë, Xhaferi është mësuar me faktin se në Gjermani zor se dikush mund t’ia shqiptojë emrin e tij, sado që ai ka jetuar aty prej kohësh. Inxhinieri i farmaceutikës çon një jetë borgjeze me gruan gjermane dhe tre kalamajtë, por ndihet gjithnjë e më shumë i huaj në vendin e punës”, thuhet në sinopsisin e përgatitur nga ZFF-ja.

Gjetja e një miu të ngordhur pranë derës së kopshtit është veçse parashenja e një qëndrimi racist. Dhe këtë Xhaferi e ndien në çdo fjalë e gjest të kolegëve në punë.

“I zhytur në mosbesimin e tij, incidentet gjithnjë e më të shpeshta e shkallojnë atë. Regjisori Visar Morina ka bërë një triler të errët e të zgjuar psikologjik mbi rreziqet reale të përjashtimit social”, thuhet në sinopsis.

Ndryshe, “Zürich Film Festival” është i pari i llojit të tij në shtetin helvetik që mbahet me pjesëmarrje fizike prejse ka filluar pandemia e koronavirusit, transmeton ‘koha.net’.

Qysh në pranverë, organizatorët e tij kishin përjashtuar anulimin e edicionit të 16-të që tashmë ka filluar aktivitetet prej të enjtes së javës së kaluar.

Duke respektuar “planin e gjerë të mbrojtjes” në përputhje me udhëzimet federale të sigurisë, drejtori i festivalit, Christian Jungen, ka thënë se ngjarja shërben si “fanar i optimizmit, jo vetëm për publikun e përgjithshëm, por edhe për industrinë e filmit dhe ngjarjet kulturore në përgjithësi”.