Mendtë tua dhe ti jeni Deti ynë Sargaso,
Londra u trazua shkaku yt bash këto vite
Dhe anijet shpresëplota ta lanë këtë apo atë si shpagim:
Idetë, thashethemet e moçme, cikërrimat e të gjitha gjërave,
Zënkat e çuditshme për dije dhe çmimet e zbehta të mallrave.
Mendjendriturit të kanë kërkuar – në mungesë të dikujt tjetër.
Ti gjithmonë ke qenë e dyta. Tragjike?
Jo. Ti e preferoje këtë si gjë të zakonshme:
Një njeri i mërzitshëm që të mërzit dhe i nënshtruari i gruas,
Një mendje mesatare – me nga një mendim më pak, secilin vit.
Oh, ti je durimtare, të kam parë se si rrije
Me orë, ku diç ka mundur të ketë flluskuar.
Dhe tash ti e paguan sall një. Vërtet, ti paguan për bukuri.
Ti je person i njëfarë interesi, njeriu vjen te ti
Dhe ta merr me vete fitimin e çuditshëm:
Trofetë e grumbulluara: dofarë sugjerimesh kureshtare;
Fakt që s’të çon askund; një rrëfenjë a dy,
Shtatzëne me madërgona, apo me diç tjetër
Që mund të dëshmohet si diç e dobishme e megjithatë kurrë s’dëshmohet,
Që kurrë s’hyn në punë e as që sjell farë dobie,
Apo që gjen çastin e vet në shfaqjen e ditëve;
Vepër e mrekullueshme e moçme, e njollosur, e pispillosur;
Idhujt dhe qelibari e zbukurimet e rralla,
Këto janë pasuritë tua, depozita jote e madhe; e megjithatë
Për tërë këtë thesar deti i gjërave gjethrënëse,
Pyjet e çuditshme përgjysmë të qullura, dhe gjëja më e re shpresëdhënëse:
Në rrjedhën e ngadalshme të dritës së ndryshme dhe të thellësisë,
Jo! në to s’ke gjë! Para së gjithash e tekembramja,
Asgjë s’është bash e jotja.
Megjithatë kjo je ti.
Përktheu: Fadil Bajraj
*Titulli i oirgjinalit: “PORTRAIT D’UNE FEMME”
ObserverKult
———————-
Lexo edhe: