Fadil Bekteshi: Ditën që besova se do vdisja

Se po nisja tamam një jetë
Pandehmën ma dhanë gishtat tu të mëndafshtë
Shumë vite kanë kaluar
Nga rini imja perënduar
Ujë shumë ka rrjedhur
nën urën me shtatë harqe të jetës
Panta Rei e dashur thanë latinët e vjetër
Këtë e thanë si proverb të përjetshëm, e përjetshmja
ime
Dhe s’është hiç fare me rëndësi
Se a e morën për të veten këtë urtësi
Apo trashëguar nga ilirët antikë
Nga filozofë apo bekri të verës së kuqe
Nga boemë që u dergjën ndanë tavolinës
Me basmë të zhubrosur të kafenesë
S’është me rëndësi pra e dashur
Se a e thanë këtë për herë të parë
filozofë të thinjur nga mençuria
apo dashnorë endacakë që gjakun ta ndalojnë kohën në
një pikë
se megjithatë e dashur unë tani ndoshta jam i vetmi
matës tragjik i kohës
I kalimit të jetës, i parandjenjës vdektare n’këtë jetë
I pehatjes në një dekik përjetësie
Që nejse mund të jetë njësi fluid në eter
I shpirtit i ndjenjës sime, i vuajtjes sime i vdekjes
Dhe i ringjalljes sime feniks
Përmes hirit të poetit rebel që mos dorëzohem
Që t’mos përfill ultimatumin e një moshe të padefinuar
mirë
Që s’më lë, oh, që më trishton
Më nemit
A që mund të më çmendë
Kur ti je kaq skofiare
Kaq e afërt
Dhe kaq tmerrësisht e largët njëkohësisht
Kur ti feks si xhevahir me bukurinë, me sharmin
Kur ti ke magjinë dhe buzët plot jetë e nefs
Gishtat e mëndafshtë që hyjnë si titull në një faqe
gazete
Ndërsa unë thërras për ndihmë kujtimet
Të kaluarën si përvojë
Dhe vitet e randë kaluar mes muresh kazamatesh
Idrizovash
Që të mund të të trembin, të të trishtojnë
Ç’e do e dashur
Këto të gjitha janë përjetuar, mbijetuar
Dhe kanë çelë vragë të thella
Dhe kanë gërryer shumë rrudha në ballë
Dhe se si oh, shikimi yt
Dhe dashuria jote ma shtrijnë ballin e ngrysur
Ndërsa netëve në pagjumësi
I hidhërohem gjelit që ma prish ëndrrën syçelë
Kur mallkoj ëndërrën herake që paralajmëron një
mëngjes
Mahmur e të lodhshëm
Me ca detyrime prozaike në punë
Aty ku ziliqarë t’paskrupullt gërmojnë dashurinë time
Or të mjerë, mos hallakatni me shpirtin tuaj të krimbur
O ju smirakë, ju sadist, ju kriminelë të çiltërisë
E vuajtjeve të devotshme
Se s’do t’u vyejnë gjë privilegjet e Danjollëve
Me gjithë foletë dhe snobizmat dhe tuajat sahanlëpirësi
Se unë portretin tënd e ngjita ndanë tavolinës së punës
Në një ekspozitë të shpirtit, të dashurisë
Të ndjenjës së nënbuzëqeshjes së Monalizës moderne
Që më ringjall, më përtërin

Oh që më jep fuqi lummadhe
Se forca që më jep ti, është uragan që më shtrin përtoke
Të keqen smirëzezë dhe se a do të dalin nga unë këto
vargje
Të shkurtër, të gjatë
Se a do të kenë ndonjë rimë sa për sy e faqe
Apo do të rrjedhin si vargje të lira migjeniane
Mes lumenjsh fushorë në thellësi liqenesh e detrash
Kjo dashuri mbase s’është hiç fare me rëndësi
Se kështu shpirti im këndon për ty
Beson, a gënjehet të të fusë në përjetësi
Pergamenë që do ta përligj vdekjen
parashikuar nga figurë e filxhanit të kafesë.

ObserverKult


Lexo edhe:

BOTOHEN DY LIBRA ME POEZI TË ADEM GAJTANIT DHE FADIL BEKTESHIT

Posa kanë dalur nga shtypi dy vepra me poezi të përzgjedhura të autorëve, Adem Gajtani “Treni nisej, faculeta digjej” dhe Fadil Bekteshi “Baladë për veten”. Që të dy shkrimtarët vijnë përmes shtëpisë botuese nga Shkupi “Agoraprint”.

“Adem Gajtani paraqet një ndër poetët më sublimë të gjeneratës së artë të poezisë shqipe që u krijua në Maqedoni dhe jashtë saj…. Në leksikun poetik të Adem Gajtanit, ndryshe nga poetët tjerë të brezit të dytë të cilit i takon, figurat poetike janë të një ndërtimi dhe të një gjeneze të veçantë…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult