Fakete Rexha: Rrënjët e mia në heshtje i mbolla…

fakete rexha

Poezia “Rrënjët” nga Fakete Rexha


Ninulla zështjerrur u këndova me vete kur i mora.
Deri këtu i solla. Rrënjët e mia fjetur. Në heshtje i mbolla.
Gjumin t’mos ua nxjerrë. Të zgjohen të trembura.
Të ikin e t’më lënë. Pa prejardhje t’më thonë. Pa t’kaluar.
T’pa Atdhe t’i thonë trupit tim. Hartë sall rrudha e gjurma.
Dhembjesh e braktisjesh. Koka ime sinonimë grope.
Këpucë gjysmë e tretur me vrima pa lidhëse.
Gjithkah më dërguan. Rrugët kur m’i dhanë.
Veç varre e eshtra, të çmendur lash pas shpine.
Nga një mërgim në tjetër. Me rrënjë mbulova trupin.
Rrënjë ushqyer mirë. Me kulturë shqiptare.
Nga toka që m’i shkulën. Kosovës monumentale.
Këtu e gjeta. Siç edhe do të jetë.
Rruga ime e vetme.
Ringjallja.
Zgjimi.
Rrënjve t’mia fjetur.
Dru e mbolla teme bijë.
Tash po rri.
Po pres.
E po prehem.

ObserverKult

Lexo edhe:

FAKETE REXHA: NËNTË SHPIRTËRAT E DASHURISË

fakete rexha

S’kishte ndodhur ende asgjë në mes, kur me foli për dashurinë e tij – gjak që s’i rridhte më damarit… rrugën e diellshme bojë argjendi…Kontracepcionin….antenën satelitore…rëndësinë e librit, gazetave…Krijuesit – më tha, si duhet gjë televizori.
Shikimin ma vodhi, faculetës mbështolli, xhepit të majtë e futi në çantë, dashurinë me vete ma mori.
I thashë: s’ke përse të më ngasësh, s’kam dëshirë të të shoh kurrë më!
Më pyeti: Në sa të të thërras nesër?
I thash: do t’i lësh ëndrrat?
Më tha: As që kam ndërmend të pushoj së ëndërruari për ty. Dashurisht duke m’vdekur kraharorit. Nga qielli yjet do ti zbres të ta stolis ballin. Ai, e vërteta as si fshihte ëndrrat as thoshte gjërat ashtu si nuk i ndjente. Më bënte t’çmendem. Siguria është vdekje për artin, i thash. Dashuria është qartësi, më tha – nëna të sjell kafenë buzë shtrati mëngjesit. Babai në grusht hapur ta mban dashurinë. E, mbrëmjeve….ah, mbrëmjeve përqafimi guximshëm symbylltazi prapa krahëve…Pëshpëritjet e puthjet qafës, gjoksit, gojës…
E pyeta: a kaq shumë më do?
Më tha: Tërë jetën do të bëhesha bariu, robi, shërbëtori yt i dëgjueshëm.
E pyeta: a vdes ti ndonjëherë…Në ëndrrat tua?
Më tha: krijuesit as mplaken as vdesin. Përveç nga dashuria.