Pse filloi të shkruaj Fan Noli?

Fan Noli shkoi për herë të parë në SHBA në vitin 1906, organizoi kishën autoqefale shqiptare me qendër në Boston, themeloi bashkë me të tjerë Federatën Vatra, shkoi në Shqipëri për të ndihmuar në forcimin e shtetit të brishtë, jetoi për një kohë në mërgim dhe u kthye përsëri në Amerikë në vitin 1931.

Në këtë jetë plot peripeci, Noli u bë edhe një penë e fuqishme – shkrimtar, shqipërues, historian e vjershëtor. Për fillimet e rrugës së tij si letrar është folur shpesh, por sot do t’ju sjellim një dokument të rrallë zanor, ku Fan Noli tregon me fjalët e tij se si u bë shkrimtar, transmeton ‘konica.al’.

Këta shirita të vjetër manjetikë, të regjistruar mbi gjysmë shekulli më parë në Boston, na sjellin me gojën e vetë Fan Nolit një dëshmi të pazakontë – rrugën e tij për t’u bërë shkrimtar. Është një ligjëratë e mbajtur prej tij në Boston në vitin 1961.

Fan Noli shkoi në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit të 20, pasi kishte punuar si sufler në teatrot shëtitëse greke. Në vitin 1908, ai u shugurua prift në Boston dhe kjo e lidhi ngushtë me shqiptarët e Amerikës.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, m’u desh të predikoja përpara shqiptarëve. Ata vinin nga fshati, shumë pak prej tyre kishin bërë ndonjë shkollë dhe unë përpiqesha shumë të afrohesha me ta. Mënyra e vetme për t’u lidhur, ishte t’u flisje atyre në një shqipe shumë, shumë të thjeshtë. Ata ishin mësuesit e mi më të mirë, sepse më mësuan se si t’u flisja dhe të kuptohesha prej tyre.”

Noli tregon, se, duke filluar nga viti 1908, iu desh të përkthente libra kishtarë nga greqishtja në shqip. Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë, në vitin 1909, ata të dy hartuan një listë librash që duheshin përkthyer në shqip, me dëshirën për t’u dhënë shqiptarëve vepra të letërsisë botërore.

“Metoda ime ishte kjo: për shembull, kur fillova të përkthej Hamletin, unë përktheja pjesët më të bukura të tij, siç ishte monologu i famshëm “Të jesh a të mos jesh”, po kështu me “Makbethin” dhe “Otellon”. Më vonë, plotësoja pjesët që mungonin. Ngurroja t’i botoja këto përkthime sepse nuk më pëlqenin aq shumë, por gjithmonë përpiqesha t’i korrigjoja.”

Noli tregon për një episod të vitit 1915, kur për arsye financiare kishte mbetur i bllokuar në Vjenë.

“Një ditë takova Norbert Joklin, studiuesin e famshëm të shqiptarëve, profesor në Universitetin e Vjenës dhe i thashë se po përpiqesha të përktheja “Hamletin”, “Makbethin”, “Jul Qezarin” e vepra të tjera. Ai më tha të shkoja e t’i lexoja disa nga përkthimet dhe një mbrëmje ne u mblodhëm në grup disa njerëz bashkë. Veç dr. Joklit ishin edhe dr. Gjergj Pekmezi, Ismail Qemali, njeriu i famshëm që ngriti flamurin shqiptar dhe shpalli pavarësinë në vitin 1912, Fazil pasha Toptani, si dhe Faik Konica. U lexova disa pjesë që kisha përkthyer. Dr Jokli foli me entusiazëm dhe më kërkoi që t’i botoja patjetër këta libra.”

Rasti për t’i botuar përkthimet, erdhi kur Noli u kthye nga Vjena në Shtetet e Bashkuara. Ai iu lut “Vatrës”, t’i paguante shpenzimet e udhëtimit, me premtimin se do t’ia shlyente ato me libra.

“U thashë atyre, se nuk mund t’ua shlyeja ato 500 dollarë me para në dorë, por u premtova se, si shpërblim, ata do të merrnin libra prej meje. Kështu, ata morën “Otellon” dhe “Kasollen e Blasko Ibanjezit”, romancierit spanjoll të shekullit të 19. “Otelloja” u botua në vitin 1916, një vit pas ardhjes sime nga Vjena. Libri i Ibanjezit, u botua pas pesë vjetësh.”

Më vonë, Noli botoi “Jul Qezarin”, “Makbethin”, “Hamletin” dhe “Armiku i Popullit” nga Henrik Ibsen, “Zonja Inger”, përsëri nga Ibsen, “Don Kishotin e Servantesit” dhe “Rubairat” e Omar Khajamit.

“Në vitin 1921, Koço Tashko, i cili në atë kohë ishte kryetar i Shoqërisë korçare “Arësimi”, m’u lut të shkruaja një histori të Skënderbeut. I thashë se do të më duheshin rreth 12 muaj për ta mbaruar dhe ata pranuan. Por, pata konkurrencë nga miku ynë i vjetër Kostë Çekrezi, i cili premtoi ta shkruante librin për tri javë dhe jo 12 muaj. Tashkoja shprehu mendimin se askush nuk mund të shkruante një histori serioze të Skënderbeut për tri javë, kështu që kjo punë m’u la mua.”

Noli tregon se, kur puna po i afrohej fundit, ai mësoi se në Vjenë kishte dokumente arkivore për Skënderbeun, sepse deri atëhere ishte mbështetur vetëm në burime letrare dhe në vepra biografike, si ajo e Barletit. Por, atij iu kërkua ta mbaronte librin shpejt, kështu që nuk mund t’i përdorte arkivat. Njëzetë vjet më vonë, kujton ai, m’u desh ta rishkruaja këtë libër, bazuar në material arkivor.

“Në vitin 1947, botova librin “Bethoveni dhe revolucioni francez”, që ishte shkruar si tezë për masterin tim në muzikë, në Universitetin e Bostonit. Ky libër dhe një përmbledhje vjershash u botuan me paratë që më dhuroi “Vatra”, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes.”

Fan Noli shkoi në Shtetet e Bashkuara me një shqipe të thjeshtë, të mësuar në komunitetin shqiptar të Ibrik Tepesë, në Trakën lindore, për t’u bërë më pas, njëri ndër lëvruesit më të mëdhenj të gjuhës së tij amtare.

“Mësuesit e mi ishin shkrimtarët e mëdhenj, veprat e të cilëve kisha përkthyer: Shekspiri, Edgar Alan Poe, Servantesi, Ibseni, Omar Khajami dhe nuk duhet të harroj Faik Konicën, një shkrimtar i klasit të parë.”

LEXO EDHE: Fan Noli, nxënës i përjetshëm me pesë diploma