Fan Noli: Ti, dashuri e zemrës sime, eja…

Fan Noli

Nga Fan Noli

Gjithë këto mendime në trurin tim dhe asnjë në letër.
Fle, po fle si shpirti im i plogët si Nili, që u mbyll brenda në shkretëtirë; po flenë të gjitha kordat e shpirtit tim dhe asnjë erë nuk i lëkund që të nxjerrin melodinë e tyre të bukur.

Dhe unë trembem t’i prek se mos nxjerrin ndonjë këngë pa harmoni dhe të egër dhe e zhytin shpirtin tim në zhurmën e panjohur, të amëshuar. Ngjet shpirti im si një vajzë topolake, me faqe të kuqe dhe të rrumbullakëta që janë gati të pëlcasin, veçse asnjë dorë dashurie s’i preku, asnjë buzë dashurie nuk i puthi dhe ashtu jep shpirt gjallëria në shkretëtirën vdekjeprurëse.

Ti, o Perëndi, shkolite Nilin tim nga shkretëtira dhe mpirja e tij dhe hidhe brenda në oqean, që të çmpihen mendimet e tij të përgjumura, lëshoji të gjitha erërat si shumë harqe dhe bëji të bien derisa të këputen kodrat e fjetura në marramendjen dhe furtunën e oqeanit të pafund.
Bëje, o Perëndi, shpirtin tim të këndojë dhe të kridhet në melodinë e detit të egërsuar.

Dhe ti, dashuri e zemrës sime, eja dhe puthi faqet e ndezura të shpirtit tim, që të pikojë dhe të derdhet mjalti që është bërë helm nga tejpjekuria; shtypi buzët e tua mbi të miat, që të bien kokrra rrushi kaq të mëdha, saqë dhjetë shoqërues të lumtur të Moisiut të mos munden t’i ngrenë…dhe unë të mbytem në shtrëngatë dashurie mes buzësh që më puthin egërsisht, mes gjinjsh që më shtypin si dallgë të egërsuar, mes duarsh që më përqafojnë fort, të mbështes kokën në jastëkun e njomë, të ëmbël, të butë e të dallgëzuar me një mijë palë dhe ashtu të fundosem e të më zërë gjumi.

1903

*Titulli i origjinalit: Shpirti im i përgjumur si Nili

Përgatiti: ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

FAN NOLI: ANËS LUMENJVE