Fatmir Baçi: Trembem të të dua si dikur…

Më qenke dhe ti plakur mikja e rinisë
As mua ajo shtrigë s’më ka kursyer
Në ç’dremitje ta ndjell, përgjum e vërvis?
Si t’ia zhvas, rininë që ka rrëmbyer.

Në mes nesh tani një pyll me thinja
Ndalen lajthimet në buzëhone rrudhash
Mbeta në prag, ku je dhe s’je e imja
Belbëzoj padashur, një këngë të ndyrë putanash.

E çfarë, se ti u ktheve? Ti dhe më braktise
Në erdhe për plagën, tashmë nuk ka shërim
Ajo që rrodhi trishtë që ditën kur u nise
Prej kohësh ka vërshuar, as ndalet, as ka kthim.

Na qenkan kësisoj dënimet kësaj bote
Ato që s’janë harresë zhurisin dhe një mal
E kur shkojnë harruar prej ngutit të një lodre
Kthehen gjithë njëherësh më zi se një vullkan.

Me stinë të begatuar, nuk jemi si dikur
Tepricat flasin trishtë, të më kuptosh, vështromë
Nuk ngjaj me atë tjetrin, gërmadhë, gur mbi gur
As ti s’i ngjan asaj, kaloi e nuk harrojmë.

Mike shko dhe lermë, të endem në vetmi
Në ca pak kujtime si engjëll i trazuar
Nuk mban më zemra ime, nuk jam prapë i ri
Mos më grish në ndarje, kam boll një të kaluar.

Sakaq, edhe ne jemi mplakur, mikja e rinisë
U shuan gjithë betejat, as marsh, as flamur
Ca relike thyer mbetën, i shoh e dot s’i ngjis
Erës i flas, se trembem të të dua sërish si dikur.

ObserverKult