
Ah, jetë e bekuar, ah, jetë e mallkuar, ah, jetë e vështirë
Sa desha të tretem, sa desha të shtirem, të jem më i mirë
Të ngjitem më lart, theqafjesh me zhurmë, kur diell të valojë
Të bije pa hile, të vritem në ballë, pa turp e pa drojë.
Ah, jetë zbukuruar, ah, jetë përçudnuar, ah, jetë pa jetë
Më deshe të bukur, por jam i shëmtuar, por jam i vërtetë
Më bëre të zhveshur, dhe rrobat e trupit, bleva në pazar
Kur qeshnin nga pas, do jetë i vobektë, do jetë i marrë.
Ah, jetë e çuditshme, më merr e më hedh, në djep e në varr
Më tund duke qeshur, më zgjon me një klithmë, më tund duke qarë
E mbetem i lidhur, me tokë e me qiell, me vlagë e me re
Kur zgjohem i nginjur, kur bije pa ngrënë, kur nuk di të fle.
Ah, jetë mrekulluar, me puthje të fshehta, me vaj e me gjak
Më mban dashuruar, me lutje të shkreta, jeto edhe pak
Të jem e të vuaj, të shoh e të ndiej, gjer kurm të më mbajë
Të dua më shumë, më shumë të urrej, se jam i pafaj.
ObserverKult
Lexo edhe:






