Fatmir Musai: Lot në dëborë…

Më trembi sot kjo borë që ra, Shkëlqim' i saj i ngrirë, Një shije gri në shpirt më la, Dy rrathë sysh të nxirë.

Më trembi sot kjo borë që ra,
Shkëlqim’ i saj i ngrirë,
Një shije gri në shpirt më la,
Dy rrathë sysh të nxirë.

Nuk di përse kjo natë e ftohtë
Kaq shumë po loz me ne,
Ketri dremit folesë së ngrohtë,
Hëna – jorganë me re.

Nën avuj gote rri përhumbur,
Mbeshtjellë me t’natës gunë,
Era përplas borën me vrunduj
Pas pishës që s’ka gjumë.

Mbas xhamash suferina qan
Dhe shpejt kthehet në kujë,
Ti brenda meje je kallkan,
M’e ngrirë se një statujë.

Vajton nga jashtë kjo dëborë,
Lotoj dhe unë me të,
Dy zogj të trembur dimërorë
Që s’u ka mbetur gjë.

Veç loti im është magm’ e nxehtë,
S’e ngrin asnjë dëborë,
Që do më rrjedhë sa të kem jetë,
S’ma fshin dot asnjë dorë!

Veç dora jote, çdo mëngjes
Me pupël ledhaton,
Çdo ditë që lind, lind dhe një shpresë,
Kallkanin ujëson!

ObserverKult

lexo edhe:

FATMIR MUSAI: KORRIERI I DASHURISË