Fatmir Musai: Rrëfimi i Zeusit

fatmir musai deputet zeusi poezi

Rrëfimi i Zeusit, poezi nga Fatmir Musai

Gra që ju kam dashur para erës sonë,
Dhe e vluara ime, Hera, më akuzonte për tradhti,
Në trupat tuaj njerëzorë, unë Zeusi, kam zbritur,
Ani që ju s’e kuptonit se kam depërtuar si shi.

Së bashku ne lindëm me dhjetra Herkulë,
Gjysmëperënditë që këndonte bardi Homer,
Tash ju na mohuat e doni veç një zot,
Për zotërit e djeshëm mbillni veç vrer.

Harroni, o të mjerë, dashurinë tonë,
Kur me bukuroshen Tetis bëja dashuri?
Ne, perënditë, ishim më tokësorë,
Afrimin me njerëzit kishim strategji.

Bijtë tanë të përbashkët do ju prinin,
Herkul e Akil e heronjtë sa janë,
Që ju të ishit më të mirë, mes qiellit e tokës,
Një urë komunikimi bashkë të ndajmë.

Po ju zgjodhët që perëndi të kishit veç një,
Dhe ne pa mëshirë na flakët në mitologji,
Tani luteni më kot në në kishë e në xhami
E kërkoni që t’ju dëgjojë veç një perëndi.

Në Olimp ne ishim, jo larg, ja, mbi re,
E kishim një adresë ku të na gjenit pa mund,
Heronjtë-shembëlltyrë ju dërguam mbi Tokë,
Po ju deshët një zot, kudo e hiçgjëkund!

Ndersa ne ishim dhjetra atje lart në Olimp,
Kur me ju pushtetin e ndamë me heronj,
Tash ju që bëni sikur doni demokraci,
Në dhjetra fe ulurini: Veç një zot besoj!

Si Polifemi qe më kot i lutej Poseidonit,
Ta denonte Odisenë me emrin Askush,
Ju njerëz të mjerë, ende s’e kuptoni,
Se po i luteni një zoti me emrin Kurrkush!

ObserverKult

Lexo edhe:

Fatmir Musai: Mos ma lag synë e bukur…

fatmir musai

E plakur, moj mike, e plakur…
S’të njoha nga dorë e tretur,
Shkëndija, nga sy i përflakur,
U ndez e u shua e trembur.

Gishtërinjve më mbeti një dridhje
Nga prekja e dorës-voltazh,
Dhe zëri, aahh zëri,… përshpirtje,
Si valëzat që puthin një plazh.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult