Fatmir R. Gjata: Magjistari

fatmir r. gjata

Poezi nga Fatmir R. Gjata

Njëherë kur po pija
në darkë në një bar
Më jep një gotë dhe mua
më tha një magjistar.

Pastaj më mori krahun,
në dorë të tij të tharë
Ke fat më tha i ngrysur,
do gjesh vetë një thesar.

Ndaj dil edhe kërkoje,
e gjen me siguri
Dhe doli vrik përjashta,
kur natën binte shi.

Unë kurrë nuk e besova,
(nuk jam aq i marrë)
Por s’di përse kërkoja,
pa ditur ende çfarë.

Shikoja me kujdes,
çdo shenjë që mund të ish
Një pemëz mbjellë në fushë
një gur shkruar në kishë.

Një këngë që qëmoti,
ca vija përmbi hartë
Një valle kapedanësh,
që mbanin kokën lartë.

Kërkova ndër sinorë,
takova pleq të vjetër
Lexova plot me epsh,
njëmijë libra të vjetër.

Dhe fati desh një ditë,
kur doli thinjë e parë
Të shihja prapë kërrusur,
të njëjtin magjistar.

Më the do bëhem i pasur,
i thashë me qesëndi
Po nuk të thashë me çfarë,
do bëhesh o njeri.

Nuk fola për para,
(thesar s’është veç flori)
Pse vallë nuk janë të çmuar,
ç’ke bërë e çfarë di!!??

Dhe ndodh kështu vërtetë,
u ulëm në një bar
Dhe pimë një gotë me fund,
unë dhe një magjistar.

ObserverKult


Lexo edhe:

FATMIR R. GJATA: RA BUST I DIKTATORIT