Fatmir R. Gjata: Shkruaj gjithmonë për dashurinë

fatmir r. gjata

Nga Fatmir R. Gjata

Shkruaj gjithmonë për dashurinë,
për mëmë e bir, për bir e at
Për një shtëpizë, për vendin tim,
për fushën time të pamatë
Shkruaj për dhimbje e për mall,
për kishë edhe për qiparis
Për gjyshen me lahur mbi kokë,
edhe për gjithë çka kam në fis
Shkruaj për udhë me baltë të tharë,
që emra njerëzish mbajnë mbi vehte
Për rrogozxhi që thur litarë,
mjaft që të lidhë një copëz jete
Për arë me grurë, për bukë në sofër,
për dhallë të bardhë e të thartuar
Për djem që vënë mënjanë takijen,
e hedhin valle dashuruar
Për vajzat.. Ah të Myzeqesë,
me flokë të terur nëpër vapë
Sa edhe zot q’i sheh nga lart,
zbret vetëtimthi që ti kapë
Për Fierin shkruaj ku njoh çdo lagje,
çdo dritë që fshihet mbi rrugicë
Çdo urë e va, çdo dallgë të çiltër,
që vjen e shuhet mbi gjanicë
Shkruaj gjithmonë për dashurinë,
ohh dashuri për gjithçka njoh
Thonë shpirti thahet nëpër vite,
por dashuria nuk njeh kohë…

ObserverKult


Lexo edhe:

SABIT RRUSTEMI: FJALËT E MBETURA NETËVE

Poezi nga Sabit Rrustemi

Ikën akrepët si buzët në çast u tremben
ia kthyen shpinën ditës që erdhi e shkoi pa ne
natës që vjen prej neonëve larg nuk shoh
mes rreshtash më fshihen fjalët e s’i gjej
ëndrrat që i rrëfenim e tash ndizen zjarreve.

Mos më thuaj gjë shpjegime s’dua
lermë të qetë t’i rikthehem vetmisë sime
t’i marrë e t’i shijoj ato që më munguan
kësaj jete që zbehet pa ty njëjtë si unë
ngjashëm me atë lis të zhveshur maje kodre
që e memorova thellë bebëzave që përmallen.

Akrepët ikin kthehen e puqen ditën natën
orë pas ore orareve njëzetekatër orëshe
përmes ritmit të tik-takeve vallëzojnë
shkëmbejnë dhe puthjet njëminutëshe
derisa ne ditë pas dite vetëm largohemi
largohemi sikur t’mos ishim as njiheshim
e pas na vijnë fjalët e mbetura netëve
jetimet pa adresë që s’i ngrohë çatia dora.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult